Blerim Sejdiu nga VLEN tha se mbeten të përkushtuar ndaj frymës së unitetit, ku edhe u bëri thirrje partnerëve të koalicionit që të zgjedhin rrugën e vazhdimit dhe jo të ndarjes, që siç tha të “reflektojnë me përgjegjësi historike sepse qytetarët nuk na kanë dhënë mandat për përçarje, por për ndryshim”, shkruan TV21. Sejdiu tha se BESA nuk është bërë pjesë e VLEN-it për të numëruar karrige, por për të ndryshuar rrjedhën e politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe shtoi se, tejkaluan interesat e ngushta partiake, ambiciet individuale dhe kalkulimet afatshkurtra, që të ndërtojnë një projekt të madh.
Sejdiu tha se kërkohet reflektim dhe tejkalim i vetes duke shtuar se besojnë se rruga e vazhdimit është më e vlefshme se rruga e stagnimit.
“Kur u krijua VLEN-i, ne sakrifikuam shumë duke ulur flamujt e egoizmit politik dhe vendosëm mbi tavolinë një projekt më të madh se secili prej nesh, siç është VLEN-i. E bëmë këtë sepse shqiptarët kishin nevojë për një bashkim, për një alternativë serioze dhe për një politikë që nuk e sheh pushtetin si pronë, por si përgjegjësi.
Tejkaluam interesat e ngushta partiake, ambiciet individuale dhe kalkulimet afatshkurtra, vetëm e vetëm që të ndërtojmë një projekt më të madh se ne.
VLEN lindi si kompromis i fortë por edhe si domosdoshmëri historike. Lindi nga nevoja për ndryshim, nga lodhja e qytetarëve me politikën e përçarjes dhe nga kërkesa për përfaqësim dinjitoz, të barabartë dhe me vizion të qartë euro-perëndimor. Për këtë arsye, ne kemi investuar kapital politik, besim dhe sakrificë, duke e vendosur interesin kolektiv mbi interesin individual. Ne si Lëvizje BESA mbetemi të përkushtuar ndaj frymës së unitetit, ndaj forcimit të VLEN-it dhe ndaj një bashkëpunimi të ndërtuar mbi barazi, respekt dhe vizion të përbashkët.
Ftojmë të gjithë partnerët që të reflektojnë me përgjegjësi historike dhe të zgjedhin rrugën e vazhdimit, jo të ndarjes.
Sepse qytetarët nuk na kanë dhënë mandat për përçarje, por për ndryshim”, tha mes tjerash Blerim Sejdiu nga VLEN.
