Deputeti i Frontit Europian Blerim Bexheti ka publikuar në Facebook disa mesazhe nga Kuvendi, të cilat sipas tij janë dërguar vetëm në gjuhën maqedonase. Ai akuzoi kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, për mosrespektim të gjuhës shqipe, duke theksuar se kjo nuk është rastësi, por “vijë politike”. Bexheti e cilësoi situatën si alarmante, duke shtuar se përjashtimi i shqipes nga komunikimet zyrtare cenon dinjitetin dhe rendin kushtetues.

“SMS-të vetëm në maqedonisht të Afrim Gashit nuk janë “gabim teknik”. Janë sinjal politik: se gjuha shqipe po trajtohet, jo si e dorës së dytë, por si gjuhë jozyrtare, madje as si “gjuhë e përkthyer”. Dhe kjo është alarm. Kjo nuk është më debat politik. Është çështje dinjiteti dhe rendi kushtetues. Gjuha shqipe nuk është dekor. Është vijë e kuqe! Nëse sot nuk është në SMS-të zyrtare të deputetëve, nesër nuk do të jetë në vendimmarrje. Pasnesër as në institucione”, ka shkruar Blerim Bexheti – deputet i BDI-së.

Bexhetit iu kundërpërgjigj deputetja e VLEN, Saranda Imeri-Stafai, duke thënë se gjuha e mesazheve varet nga mënyra se si bëhet kërkesa nga vetë deputetët. Ajo shtoi se në rastin konkret, kërkesa është bërë në gjuhën maqedonase, prandaj edhe mesazhet kanë ardhur në të njëjtën gjuhë, duke theksuar se gjatë mandatit aktual janë bërë përparime në përdorimin e shqipes.

“Ashtu si e bën kërkesën, ashtu vijnë edhe mesazhet. Blerim (Qoseto) Bexheti kërkesën e ke vetëm në gj.maqedone. Goxha shume ishe lodh tu shkrujt. Mua kështu më vijnë. Atë që nuk e bëri Talati për 7 vjet (mesazhet ne gj.shqipe), Afrim Gashi e beri per 7 muaj”, theksoi Saranda Imeri Stafai – deputete e VLEN-it.

TV21 për këtë çështje pyeti edhe organet e Kuvendit, nga ku shkurt na u përgjigjën se deputetët shqiptarë i marrin mesazhet në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe.