Akademik Abdylmenaf Bexheti, kryetar i Këshillit Fiskal, në emisionin Biznis 21 në TV21 vlerësoi se në afat të shkurtër nuk është e mundur që nga një buxhet që ka kryesisht funksion social të kalohet në buxhet që do të nxisë drejtpërdrejt rritjen ekonomike.

“Si mund të kalojmë nga një buxhet social në një buxhet që do të sjellë rritje? Thjesht, kjo nuk është e mundur në afat të shkurtër. Buxheti është një instrument ekonomik për realizimin e objektivave ekonomike të një shteti, dhe ndikimi i tij në rritje realizohet gradualisht,” deklaroi Bexheti.

Ai theksoi se, që buxheti të bëhet nxitës i aktivitetit ekonomik, nevojiten ndryshime strukturore, planifikim i kujdesshëm dhe një periudhë kohore për realizimin e investimeve dhe politikave ekonomike.