Bisedimet ekonomiko-tregëtare Kinë – SHBA identifikojnë rrugë e mundësi bashkëpunimi

Një marrëdhënie ekonomiko-tregtare e qëndrueshme, e shëndetshme dhe e vazhdueshme Kinë-ShBA, i shërben jo vetëm objektivave të zhvillimit të të dy vendeve, por gjithashtu kontribuon në rritjen dhe stabilitetin ekonomik global, tha zv/Kryeministri i Kinës He Lifeng.

Ai i bëri deklaratat gjatë raundit të ri të bisedimeve ekonomiko-tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në Stokholm të Suedisë, të cilat u zhvilluan të hënën dhe të martën me Sekretarin e Thesarit të ShBA-së, Scott Bessent dhe Përfaqësuesin e Tregtisë të ShBA-së, Jamieson Greer.

Gjatë bisedimeve, palët zhvilluan diskutime të sinqerta, të thelluara dhe konstruktive mbi marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes dy vendeve, për politikat makroekonomike dhe çështje të tjera përkatëse me interes të ndërsjellë.

Palët gjithashtu shqyrtuan dhe vlerësuan zbatimin e konsensusit të arritur në bisedimet e mëparshme në Gjenevë dhe kuadrin e dakordësuar në Londër.

Siç mësohet, bazuar në konsensusin e arritur në takim, palët do të vazhdojnë të kërkojnë një zgjatje 90-ditore të pauzës së 24% të tarifave reciproke nga pala amerikane, si dhe kundërmasave nga pala kineze.

Qëndrimi i Kinës në çështjet ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA është i qëndrueshëm dhe thelbi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA qëndron në bashkëpunimin fitimprurës për të dyja palët, tha ai.

Duke theksuar se të dyja palët ndajnë interesa të gjera të përbashkëta dhe një hapësirë të madhe bashkëpunimi në ekonomi dhe tregti, He tha se bashkëpunimi midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara u sjell përfitime të dyja palëve, ndërsa konfrontimi i dëmton ato.

Siç mësohet, pala amerikane tha pas takimit se një marrëdhënie e qëndrueshme ekonomiko-tregtare mes ShBA-së dhe Kinës, është me rëndësi të madhe për ekonomitë e dy vendeve dhe të botës në përgjithësi.

Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me palën kineze për të vazhduar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën ekonomike dhe tregtare përmes mekanizmit të konsultimit, për të nxitur më shumë rezultate nga bisedimet, si edhe për të stabilizuar më tej marrëdhëniet dypalëshe ekonomike dhe tregtare.