Vizita e dytë në Britani me Blagoja Milevskin si trajner dhe debakli i dytë. Pak më shumë se dy vjet pas humbjes 7-0 ndaj Anglisë, Maqedonia pësoi shtatë gola ndaj Uellsit, duke i dhënë fund kështu një serie prej 14 ndeshjesh dhe pothuajse dy vitesh pa humbje në ndeshje zyrtare.

“Pas një ndeshjeje dhe një rezultati të tillë, dua t’i përgëzoj uellsianët. Nuk arritëm të barazojmë cilësinë dhe motivimin e kundërshtarëve tanë. Përgjegjësia është e imja. Gjithmonë ka qenë kështu dhe do të vazhdojë të jetë kështu. Unë mbështes ekipin, por mënyra se si humbëm 7-1 më dhemb më shumë sesa humbja bindëse. Zoti na ruajt që të përjetojmë një humbje të tillë çdo dy vjet pas pesëmbëdhjetë rezultateve pozitive. Nuk iu përgjigjëm në mënyrë adekuate vrapimit dhe cilësisë individuale të kundërshtarit dhe epilogu është i pashmangshëm. Kur nuk mund të jemi në atë nivel, nuk ka asgjë për t’u penduar. Ishim larg nivelit të ndeshjeve të mëparshme. Filozofia e lojës nuk vihet në dyshim. Ishte e njëjta si në katërmbëdhjetë ndeshjet e mëparshme.

Urime edhe lojtarëve të mi, të cilët shpresoj se së pari do të jenë më konkurrues në klubet e tyre dhe pastaj në fanellën me emblemën kombëtare. Këta lojtarë na kanë sjellë sukseset dhe rekordet në këto dy vite. U kualifikuam për play-off për herë të dytë radhazi, lojtarët nuk janë problem. Kjo ishte thjesht një ndeshje e keqe.”

 

Delegacioni zbarkoi në Shkup, lojtarët shkojnë në klubet e tyre, ndërsa trajneri Milevski do të udhëtojë drejt Cyrih-ut, ku të enjten, Maqedonia do të mësojë kundërshtarin në play-off.

The post Blagoja Milevski: Më shumë më dhemb mënyra se si humbën, se sa rezultati i thellë appeared first on Alsat.