
Ditë më parë Zvicra është tronditur nga një incident ku mbeten të vdekur 6 persona. Një autobus postar ishte përfshirë nga një zjarr i madh, duke shkaktuar kështu një tragjedi në shtetin zviceran, raporton Gazeta Express.
Gazeta zvicerane “Blick” sot ndërkohë ka zbuluar detaje shokuese të kësaj ngjarjeje duke raportuar se personi që ka shkaktuar zjarrin ishte 65 vjeçari Roger K., i njohur edhe më herët për probleme.
Siç raporton mediumi zviceran, Roger K. kishte lyer veten me lëndë djegëse dhe rreth orës 18:30 i kishte vënë vetes flakën brenda autobusit postar. Nga ky akt ka mbetur i vdekur vetë Roger K si autor i krimit dhe pesë persona të tjerë.
“Blick” shkruan se autori i krimit kishte qenë protagonist i një ngjarje në vitin 2019, kur ishte barrikaduar brenda ndërtesës së SRF-së në Bernë.
Atë kohë ai kishte kontaktuar ekipin editorial të Blick. Në një email, ai Roger K. kishte deklaruar se ishte përgjegjës për një incident të kaluar që kishte bërë bujë në media.
“Atë ditë, u barrikadova brenda ndërtesës së SRF në Bernë”, shkroi K.
Ai një mëngjes, të hënën e gushtit 2019, kishte hyrë me forcë në zyrën postare të ndërtesës së SRF në lagjen Monbijou të Bernës dhe kishte kërcënuar se do të dëmtonte veten.
Policia e kishte arrestuar atë më vonë pa u shkaktuar ndonjë lëndim dhe një ambulancë e kishte çuar në spital. Askush nuk ishte lënduar.
“Vuaj nga një sëmundje e rëndë muskulore dhe kam punuar gjithë jetën time” i kishte thënë Roger K. gazetës Blick në mesazhin e tij në atë kohë.
“Tani dua të përmbush dëshirën time të fundit përpara se të ndërroj jetë në paqe”, kishte shtuar ai, duke deklaruar në email se aktualisht punonte në një program punësimi në kantonin e Fribourg-ut.
Pastaj erdhi e marta e kësaj jave në Kerzers
Këtë herë, Roger K. jo vetëm që dëmtoi veten, por edhe shumë njerëz të tjerë. Siç shkruan Blick.ch, rreth orës 17:45, ai kishte hipur në autobusin postar në Düdingen, Fribourg.
Ai ishte duke shkuar për në Kerzers.
Në orën 18:25, 65-vjeçari ishte lyer me benzinë brenda autobusit, dhe i kishte vënë flakën vetes dhe flakët u përhapën me shpejtësi në të gjithë autobusin. Gjashtë persona vdiqën, përfshirë autorin e krimit, Roger K.
