John Bolton, ish-këshilltari i sigurisë kombëtare gjatë mandatit të parë të Donald Trump, është dorëzuar tek autoritetet.
Kjo është një pjesë formale e procesit ligjor, pasi Bolton u akuzua se ka keqpërdorur aksesin e tij në informacionet e klasifikuara të qeverisë Amerikane.
Dorëzimi i tij para autoriteteve u bë sepse Bolton doli para gjykatës për të njohur aktakuzën, por pjesën tjetër të procesit ai do e ndjekë i lirë. Ish këshilltari i Trump u vetedeklarua i pafajshëm per cdo akuze, por nëse shpallet fajtor nga gjykata ai rrezikon nje dënim me 10 vjet burg.
Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ngriti ndaj Bolton tetë akuza për transmetim të informacionit të mbrojtjes kombëtare dhe 10 akuza për mbajtje të informacionit të mbrojtjes kombëtare. Ish këshilltari i Trump akuzohet se ka marrë dokumente të klasifikuara në shtëpinë e tij.
FBI- ja Amerikane kishte kryer kontrolle në banesën dhe zyrën e ish këshilltarit të Trump për sugurinë Kombëtare përgjatë muajit gusht si pjesë e hetimit.
Në reagimin e tij Bolton tha se është viktimë e përdorimit të Departamentit të Drejtësisë si armë politike nga Trump.
John Bolton u shkarkua nga administrata e parë e Presidentit Amerikan Donald Trump në vitin 2019. Ndërkohë në një libër me kujtime të publikuar një vit më vonë, ai e përshkroi Trump-in si një president të painformuar në çështjet ndërkombëtare.
Bolton ,76 vjeç bëshet kështu kundërshtari i tretë politik i Trump që përballet me akuza penale në javët e fundit, pas ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, dhe Prokurores së Përgjithshme të Nju Jorkut, Letitia James.
Presidenti amerikan ka udhëzuar publikisht Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi, që të ndjekë penalisht kundërshtarët e tij.