Shtëpia e Bardhë po planifikon zhvillimin e takimit të parë të nivelit të lartë të “Bordit të Paqes”, i cili do të mbahet më 19 shkurt në Washington, siç konfirmoi portali prestigjioz Axios me burime pranë administratës së Donald Trump-it. Ky samit nuk do të jetë vetëm diplomatik, por do të shërbejë edhe si një konferencë e madhe donatorësh për mbledhjen e fondeve për rindërtimin e Gazës. Një ditë më herët, më 18 shkurt, Presidenti Trump do të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, për të koordinuar hapat e fundit përpara aktivizimit të Bordit.
Në këtë strukturë të re marrin pjesë 26 vende, mes të cilave Shqipëria dhe Kosova kanë konfirmuar praninë e tyre. Më 28 janar, Parlamenti i Shqipërisë votoi me një konsensus të rrallë prej 110 votash pro, duke autorizuar kryeministrin për përfaqësim në këtë organizatë. Sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit të mes‑nëntorit, ky bord ka kompetencën të krijojë një forcë ndërkombëtare stabilizimi në Gaza, për të mbikëqyrur armëpushimin e brishtë të arritur mes Izraelit dhe Hamasit.
Ky takim shënon mbledhjen e parë zyrtare pas asaj themeluese që u mbajt gjatë Samitit të Davosit më 20 janar 2026. Bordi, i drejtuar personalisht nga Donald Trump, synon të marrë në dorë qeverisjen e përkohshme të Gazës, por ambiciet e tij shkojnë më tej. Trump ka deklaruar se ky mekanizëm do të zgjerohet për të trajtuar konfliktet globale, duke ngjallur dyshimet dhe skepticizmin e aleatëve perëndimorë, të cilët i druhen minimit të rolit tradicional të Kombeve të Bashkuara.
