Pas shiut, i cili ende bie në zonat më të ulëta të rajonit më të gjerë të Dibrës, janë vërejtur reshjet e para të borës në vendbanimet më të larta, si Lazaropole, Broshticë, zona e Zhupës së Epërme, në fshatin Tatar Elevc mbi qytet, si dhe në Mavrovë.
Komunikacioni në këtë pjesë të vendit po zhvillohet pa ndërprerje, por, rekomandohet kujdes gjatë drejtimit të automjeteve për shkak të rrugëve të lagështa dhe rrëshqitjeve të vogla, por të shpeshta, prandaj këshillohet të vozitet me kujdes.

“Në akset rrugore nën përgjegjësinë tonë ka rrëshqitje të vogla, por të shpeshta të gurëve. Për shkak të rrugëve të lagështa, si dhe mundësisë për rrëshqitje më të mëdha, për të cilat është i njohur rajoni ynë, rekomandojmë vozitje shumë të kujdesshme dhe respekt të rreptë të sinjalistikës rrugor. Ekipet tona janë vazhdimisht në terren, me qëllim pastrimin në kohë dhe zhvillimin e sigurt të trafikut”, konfirmuan nga seksioni i Dibrës të Ndërmarrjes publike për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale.
Ara shtojnë se janë plotësisht të përgatitur për t’iu përgjigjur çdo nevoje, megjithëse orari dimëror i punës fillon më 5 nëntor.
Nën përgjegjësinë e këtij seksioni janë akset Dibër – Zhirovnicë (aksi rrugorë Dibër-Mavrovë), Dibër – Globoçicë (aksi rrugorë Dibër-Strugë), rruga drejt pikës kufitare “Blato”, pastaj degëzimi Boshkov Most drejt fshatrave të Malla Rekës, si dhe rruga Melniçki Most – Qendër Zhupë, ose mbi 110 kilometra.
Shiu sigurisht do të ndikojë pozitivisht në rritjen e rrjedhave të lumenjve dhe përrenjve në këtë rajon gjë që do të shkaktojë një rritje të rrjedhës së ujit në rezervuarin “Liqeni i Dibrës” të Hidrocentralit “Shpilje”.
Që nga mbrëmë, borë po bie edhe në Mavrovë dhe në Kodrën e Diellit.