Edhe pse ka mungesë të borës në Kodrën e Diellit, turistët nuk mungojnë, të paktën ata që vijnë gjatë vikendit të marrin ajër të pastër, por edhe të bëjnë një shëtitje panoramike me gjashtë ulësjet. Drejtori i Kodrës së Diellit, Gani Alija, thotë se ski-ashensorët dhe makineritë janë të gatshëm për fillimin e sezonit të ri, ndërsa sa i përket hotelit Sllavisë, drejtori thotë se janë duke përgatitur një projekt dhe se në pranverë mund të fillojnë me rezervime.
“Kjo është java e dytë që i kemi lëshuar ski-ashensorin që të punojë për forum panoramik për vizitorët, dhe çdo javë do të punojmë deri në pritjen e borës që të fillojë skijimi. Ski-ashensorët të gjithë janë të përgatitur për t’u lëshuar dhe kemi marrë edhe parimin teknik për të lëshuar qendrën e skijimit. Sa i përket hotelit Sllavisë, ne po bëjmë disa përgatitje për vizitorët, ndërsa tani jemi duke përgatitur një projekt të ri për renovimin e hotelit dhe shpresojmë se në pranverë do të fillojmë me rindërtimin e tij”, tha Gani Alija – Drejtori i Kodrës Së Diellit.
Pronarët e hoteleve thonë se mungesa e borës ka bërë që në muajin dhjetor shumica e turistëve të anulojnë rezervimet.
“Sa i përket muajit dhjetor, rezervime kemi pasur shumë, por kemi edhe shumë anulime. Mungesa e borës dhe kur e shohin se nuk ka borë, dihet që nuk vijnë, ndërsa viti i ri është i rezervuar nga vizitorë nga e gjithë Europa, kemi shumë rezervime. Ndërsa në janar, shkurt dhe mars kemi shumë rezervime nga vizitorë që vijnë dhe e bëjnë skijimin e lirë”, pohoi Hashim Hasani – pronar hoteli.
Vitin që lam pas, në dhjetor filloi edhe sezoni i skijimit dhe kjo bëri që Kodra e Diellit të jetë e mbushur me turistë. Ndërkaq, për festën e Vitit të Ri, lokalet në Kodrën e Diellit thuajse të gjitha janë rezervuar.
