Botërori 2026 po merr formë, teksa një numër i madh kombëtaresh nga të gjitha konfederatat kanë siguruar matematikisht biletën për turneun më prestigjioz të futbollit. Me formatin e ri dhe zgjerimin në 48 skuadra, gara ka qenë më e ashpër, por disa prej fuqive tradicionale dhe surprizave të këndshme kanë vulosur pjesëmarrjen e tyre.

Kontinenti aziatik ka prodhuar tetë të kualifikuara: Australi, Iran, Japoni, Jordani, Katar, Arabi Saudite, Kore e Jugut dhe Uzbekistan.
Nga Amerika e Veriut dhe Qendrore, tre skuadrat pritëse të Botërorit e kanë kryer misionin:
SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Afrika paraqitet me një grup shumë konkurrues e të balancuar: Algjeri, Kepi i Gjelbër, Egjipt, Gana, Bregu i Fildishtë, Marok, Senegal, Afrika e Jugut dhe Tunizi.
Si zakonisht, Amerika e Jugut sjell emrat më të mëdhenj: Argjentinë, Brazil, Kolumbi, Ekuador, Paraguai dhe Uruguai.
Nga Oqeania, e kualifikuara e vetme e konfirmuar është: Zelanda e Re, e cila mbetet e pathyeshme në rajon dhe kërkon më në fund kalimin e një faze të avancuar në Kupën e Botës.

Kontinenti i vjetër sjell një listë të jashtëzakonshme skuadrash: Austri, Belgjikë, Kroaci, Angli, Francë, Gjermani, Holandë, Norvegji, Portugali, Skoci, Spanjë dhe Zvicër.
Të gjitha kombëtaret elitare europiane do të jenë të pranishme, me Norvegjinë që kthehet në një Botëror falë gjeneratës së re të udhëhequr nga lojtarë të nivelit botëror. Surpriza e mbrëmjes ishte natyrisht dhe kualifikimi dramatik i Skocisë në ndeshjen e fundit duke i “rrëmbyer” biletën Danimarkës.

Me këto skuadra të kualifikuara, Botërori 2026 premton spektakël, rivalitet dhe histori të reja në futbollin ndërkombëtar. Shpresat janë të mëdha që këtij mozaikut t’i bashkohen Shqipëria dhe Kosova, nëpërmjet fazës “play off” që do të zhvillohet në mars.

The post Botërori 2026 po merr formë, mësohen kombëtaret e kualifikuara appeared first on Alsat.