Gazetare: Ajnur Bafqari

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikollovski, nuk e sheh si negative përgjigjen e Brukselit për të mos bërë përjashtim të përgjithshëm për shoferët e kamionëve nga rregulli 90 ditë qëndrim brenda 180 ditëve. Edhe pse Komisioni Evropian ka pranuar se pikërisht për profesionet me mobilitet të lartë, si shoferët profesionistë, ky rregull mund të paraqesë problem. Nikollovski thotë se zgjidhje ka dhe ajo është në dy drejtime, përmes njohjes së shoferëve si profesionistë dhe përmes vizave afatgjata të punës.

“Unë që i shoh konferencat e plota të mediave, nuk mund të them se është përgjigjur negativisht. Mendoj se Brukseli është përgjigjur siç edhe ne e flasim me muaj, e kjo është që zgjidhja e kësaj çështje është në dy drejtime. E para, BE-ja në strategjinë e re të vizave i njohu transportuesit si profesionistë, dhe e dyta është se zgjidhje janë marrëveshjet dypalëshe për viza afatgjate pune  që ne tashmë i kemi arritur apo i arrijmë”– tha ministri i transportit, Aleksandar Nikollovski.

Megjithatë, transportuesit kërkojnë zgjidhje më të gjerë, pasi puna e tyre kërkon hyrje dhe dalje të vazhdueshme nga territori i BE-së. I pyetur lidhur me këtë çështje, Nikollovski pa e konkretizuar, u përgjigj se zgjidhja tashmë është në sipërfaqe.

“Mendoj se transportuesit tanë janë mjaftueshëm të arsyeshëm dhe do të punojmë së bashku dhe zgjidhjen tashmë e kemi në sipërfaqe, duke pasur parasysh se me një pjesë të shteteve tashmë viza të tilla afatgjata jepen dhe qytetarët tanë i përdorin tashmë”– nënvizoi Nikollovski

Komisioni Evropian  një ditë më parë tha se rregullat e Shengenit nuk do të ndryshohen, megjithëse zyrtarët janë të vetëdijshëm se kategori të caktuara punëtorësh, përballen me vështirësi kur hyjnë dhe dalin nga vendet evropiane që janë pjesë e zonës së lëvizjes së lirë. Transportuesit ditë më parë protestuan para zyrës së BE-së në Shkup, ndërsa protesta kanë paralajmëruar edhe në Bruksel./Alsat.mk.

The post Brukseli nuk ndryshon rregullin 90/180, Nikollovski: Ka zgjidhje për transportuesit appeared first on Alsat.