Gazetar: Zekirija Haxhiu
BDI-ja pretendon se pavarësisht qëndrimeve që i shpreh publikisht, kryeministri Hristijan Mickoski në prapaskenë i lut ata që t’i marrë në qeveri. Megjithatë, ata thonë se nuk do të hynë në qeveri pa zgjedhje të parakohshme. Këto qëndrime i dha Bujar Osmani nga BDI, një ditë pasi Mickoski tha se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se BDI-ja duhet të mos e gënjejë elektoratin e saj se do të bëjë koalicion me VMRO-në.
“Në publik diçka tjetër me kërkesë të partnerëve të tyre kurse neve emisarë të tjerë për të ri konfiguruar qeverinë pas zgjedhjeve për shkak se ai i din rezultatet, i ka parë anketat e fundit, vet i ka parë anketat e fundit që është 3 me 1. Mirëpo përgjigja jonë është e njëjtë, edhe përmes emisarëve që i dërgon edhe publikisht”, tha Bujar Osmani – BDI.
Këtë kategorikisht e hodhën poshtë nga vet partia VMRO-DPMNE. Nga atje thonë se këto skenarë dhe këto mashtrime nuk kalojnë as në çerdhe por mund të ekzistojnë vetëm në fantazinë e Osmanit. Pas zgjedhjeve lokale, qytetarët do ti dërgojnë BDI-në dhe LSDM-në në pension politik, thonë nga VMRO.
“VMRO-DPMNE qartë dhe zëshëm porositë: “Emisarët” e vetëm që i dërgojmë janë ata të cilët e bartin mesazhin e popullit, e ajo është përgjegjësi për kartelin kriminel BDI-LSD. Përgjegjësi për Aliun, Zaevin, Filipçen, Grubin e Osmanin. Pikërisht në zgjedhjet lokale këto dy struktura përfundimisht dhe formalisht do të përfundojnë atje ku prej kohësh e kanë vendin, në koshin e historisë. Bujar Osmani sot nuk është asgjë tjetër përpos zëdhënësi i fundit i kartelit kriminel të cilin qytetarët e njohën”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Zv.kryeministri i parë Izet Mexhiti porosit Osmanin që të mos e mbaj mendjen te Qeveria.
“Dua ta përkujtoj se këto zgjedhje janë zgjedhje lokale, zgjedhje për komunat. Unë dhe ai kemi dalë të kërkojmë vota për kryetar komune por ai mendjen e ka te Qeveria nuk e ka te Çairi”, tha Izet Mexhiti – Zv.kryeministër.
Osmani gjithashtu theksoi se edhe kandidatët maqedonas për kryetarë në Qytetin e Shkupit, kanë filluar kontaktet e para për bashkëpunim në Këshill të Qytetit. Kjo për arsye që siç thotë Osmani, shumica e këshilltarëve shqiptarë do të jenë nga radhët e AKI-së./Alsat.mk
The post Bujar Osmani: Mickoski dërgon emisarë për të bërë koalicion appeared first on Alsat.
