Gazetare: Melihate Rustemi

Ndërsa shumë shkolla raportojnë se nuk shënojnë raste të bullizmit fizik, dhuna në internet, ose siç njihet ndryshe, sajber bullizmi, po shfaqet si një kërcënim serioz për sigurinë dhe mirëqenien psikologjike të nxënësve. Profesor Naser Miftari nga gjimnazi “Zef Lush Marku” ngriti shqetësimin se ndonëse bullizmi diskutohet vazhdimisht, duket sikur kjo e bën atë më prezent. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të shtuar me menaxhmentin, prindërit dhe institucionet për të forcuar sigurinë.

“Raste konkrete brenda shkollës nuk kemi hasur. Ende nuk kemi ndonjë dhe dasht e dhashtë Zoti që të mos kemi eksese të tilla ku rrezikohet siguria”, tha Naser Miftari, profesor.

Megjithatë, profesor Miftari veçoi si problem kryesor dhunën “online” përmes rrjeteve sociale. Ai tregoi raste ku nxënësit bëjnë fotografi fshehurazi të bashkëmoshatarëve të tyre gjatë orës së mësimit.

“Fatkeqësisht, këtu nuk jemi imun ndaj çdo situate dhe deri më tani edhe pse nuk kemi eksese, nuk kemi përleshje fizike kemi vërejtje të këtij segmenti. Kemi informacione ku ka nxënës që kanë bërë fotografi edhe në anën tjetër kemi nxënës të cilët nuk janë të kënaqur me ato fotografi të bëra fshehurazi nga bashkëmoshatarët e tyre derisa është orari i mësimit”, shtoi ai.

Deklaratat e nxënësve për Alsat japin një pasqyrë shqetësuese të ndikimit të sajber bullizmit. Thonë se raste të tilla ndodhin shpesh, ndërsa pasojat janë të dhimbshme për ata që bëhen viktima.

Anketë me nxënës

“Plot shokë kanë qenë viktimë, unë nuk kam qenë. Si janë ndje ato? Janë ndje keq, kanë kërku masa por nuk është ndërmarrë asgjë. Çka është publiku, ndonjë foto e tyre ose video? Foto me tekste të këqija, tekste bullizuese”.

“Nuk ka qenë ndonjë foto e keqe dhe nuk kam reaguar keq. Po sikur të ishte diçka më keq? Normal, kisha reaguar keq. Si ishe ndje të nesërmen në shkollë, para shokëve? Kokën poshtë edhe me ec, pastaj të gjithë qeshin”.

“Nuk duhet të biem pre asnjëherë e këtyre provokimeve, të merremi me to personalisht se mund të sjellin deri në probleme të shumta. Duhet të kërkojmë që institucionet përkatëse të merren me këtë temë. Në shkollë kemi shoqëri shumë dhe nëse dikush na nxjerr në rrjetet sociale atëherë do të ketë bullizim nga shoqëria dhe probleme të shumta që mund të sjellin në psikologjinë tonë”]

Sipas drejtuesve të shkollës, bashkëpunimi i menaxhmentit, prindërve dhe institucioneve është në nivelin e duhur. Mirëpo, rritja e rasteve të dhunës online sugjeron një nevojë urgjente për strategji më efikase dhe masa ndëshkuese më të shpejta për të mbrojtur nxënësit nga këto forma moderne të bullizmit./Alsat.mk

The post Bullizmi në internet po merr përmasa shqetësuese appeared first on Alsat.