“ Të akuzuarit Naim Murseli dhe Granit Plava, ju shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm. Të akuzuarit Kushtrim Kokalla i shqiptohet dënim me burgim me kohëzgjatje prej 30 vite”, deklaroi Fatmire Dermaku, kryetare e trupit gjykues.
Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj tha se vendimi duhet të jetë mësim për të gjitha ata që mundohen, apo krijojnë mundësi, që të kryhet një krim i tillë.
“Ky vendim sot nuk shkon vetëm për ne, shkon për Liridonën, shkon edhe për fëmijët e saj, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht. Andaj ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë ata që mundohen apo krijojnë mundësi që të bëjnë një krim të tillë. Sa i përket Kushtrim Kokallës, besoj se gjykata e ka parë ashtu, për këtë mund të flet edhe avokati se çfarë dënimi kemi pritur ne për të. Sado pak na ka lehtësuar dhimbjen edhe ne edhe familjes, besoj se ishte vendim që e kishim pritur i gjithë populli shqiptar”, theksoi Leonard Ademaj, Vëllai i Liridona Ademajt.
Ndërkohë avokati i familjes, Leutrim Syla tha e dënimi për Murselin e Plavën është marrë konform provave, ndërsa paralajmëroi ankesë në Apel, lidhur me dënimin me 30 vjet burg për Kushtrim Kokallën.
“Edhe pse si i tillë nuk parashihet me kod pasi ishte vetëm 30 vjet në kohëzgjatje, por që duke pasur të drejtën të apelojmë edhe në Apel, konform lartësisë së dënimit, konsideroj se do të bëjmë ankesë”, thotë Leutrim Syla, Avokat i Familjes Ademaj.
Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarit erdhi pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe fjalëve përfundimtare të palëve, ku Prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm për ta, duke argumentuar se vrasja e 30-vjeçares ishte kryer në mënyrë të planifikuar. Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve kishin thënë se nuk kishte prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kishin kryer veprat penale.
Mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-ës, Liridona Ademaj u vra në një rrugë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, teksa ishte në veturë bashkë me bashkëshortin Naim Murselin dhe dy fëmijët e tyre./Alsat.mk.
The post Burgim i përjetshëm për Murselin dhe Plavën, 30 vjet për Kokallan për vrasjen e Liridona Ademajt në Prishtinë appeared first on Alsat.
