Gazetar: Mihajllo Donev

Burgu më i madh në vend, Institucioni Ndëshkues-Përmirësues Idrizovë, bëhet me kënd për fëmijë, hapësirë të veçantë për fëmijët e të burgosurve, të cilët atje do të mund të kalojnë një pjesë të kohës me më të dashurit e tyre. Këndi në fakt është një hapësirë e veçantë e përshtatur si një mini-kënd për fëmijët e personave që vuajnë dënim me burg. Drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov, theksoi se në Idrizovë, një burg me 1280 të burgosur, ka shumë prindër dhe se një kënd i tillë është investim më se i nevojshëm.

“Duhet të kemi mirëkuptim se një pjesë jo e vogël e të burgosurve kanë familje, kanë fëmijë të vegjël dhe ardhja e tyre për vizitë, tani edhe në burgun e Idrizovës. Kjo këtu, për ata që nuk e dinë, është salla e takimeve, ashtu siç themi ne, ku të afërmit dhe miqtë kanë mundësi të takohen e të bisedojnë në ditë të caktuara të javës me të burgosurit që qëndrojnë këtu. Dhe fëmijët, kur të vijnë, sigurisht që do të ndihen më mirë me këtë kënd për fëmijë”, tha Aleksandar Pandov, drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.

Këndi për fëmijë në burgun e Idrizovës është realizuar me ndihmën e fondeve nga Bashkimi Evropian, por shuma e saktë nuk është precizuar. Donatorët thonë se nuk bëhet fjalë për investim të madh, por një investim shumë i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve për të burgosurit dhe ndërveprimin e tyre me familjet.

“Një pjesë e madhe e fëmijëve të prekur përballen me vështirësi emocionale si rezultat i vizitave të tyre në burgje, ku prindi i tyre po vuan dënimin. Prandaj, kjo masë e vogël në dukje, por me rëndësi të madhe, shpresojmë se do t’i bëjë vizitat e më të vegjëlve sa më të këndshme dhe sa më pak të dhimbshme”, u shpreh Donçe Boshkovski, udhëheqës i Seksionit II pranë Këshillit të Evropës.

Burgu i Idrizovës u bë i katërti në vend që ka kënd për fëmijë, pasi më herët një i tillë ishte realizuar në burgjet e Shtipit, Kumanovës dhe Prilepit./ Alsat.mk

The post Burgu i Idrizovës bëhet me kënd fëmijësh appeared first on Alsat.