E çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut është përmendur edhe në një takim në Departamentin Amerikan të Shtetit. Këtë e kanë bërë Presidenti i Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC), Martin Vulaj dhe anëtarë i këshillit, Vehbi Bajrami, të cilët takuan zyrtarë të Departamentit të Shtetit në Uashington D.C – Andrew Caruso, Anne Morrison, John Robbins dhe David Maher.

Në njoftimin e Këshillit thuhet se mes temave të tjera që lidhen me çështje urgjente shqiptare dhe interesat e gjera amerikane në Ballkan, në këtë takim dy orësh është adresuar edhe lëvizja e vazhdueshme e studentëve të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, duke avokuar për të drejtën e të diplomuarve shqiptarë në drejtësi për t’iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në komunikatën e Këshillit të Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane thuhet po ashtu se mbeten të përkushtuar për të siguruar që perspektivat shqiptare të përfaqësohen qartë në Uashington dhe që angazhimi i SHBA-së në rajon të vazhdojë të promovojë stabilitetin, llogaridhënien dhe prosperitetin afatgjatë.