Propozimi për shkarkimin e kryeprokurorit, Luçpço Kocevski, tashmë ka hyrë në procedurë parlamentare, pasi Qeveria e ka dërguar atë në Kuvend. Por nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, thonë se ende nuk ka informacione se kur do të caktohet seanca për shkarkim.

“Ende nuk ka informacione se kur do të vendoset në rend dite. Pas pranimit të kërkesës nga Qeveria, Kuvendi duhet të kërkojë mendim nga Kocevski dhe për këtë nuk ka afat të caktuar. Nëse ai nuk deklarohet deri në ditën kur shkarkimi vendoset në rend dite, ka mundësi të marrë pjesë në seancë”, thonë nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi.

Në propozimin e Qeverisë thuhet se kërkesa për shkarkimin e Kocevskit bëhet për shkak të gabimeve të mëdha profesionale gjatë drejtimit të Prokurorisë Publike. Duke qenë se tashmë shkarkimi i Kocevskit konsiderohet i mundshëm, në opinion është hapur edhe çështja e mënyrës së emërimeve të ardhshme. Këtë javë edhe presidentja Gordana Siljanovska-Davkova deklaroi se nevojitet një luftëtar i pakompromis për respektimin e ligjeve dhe një person rezistent ndaj ndikimeve partiake dhe politike. Avokati Vlladimir Tufegxhiq, në emisionin ClickPlus në TV21, theksoi se problemi me emërimet e deritanishme të kryeprokurorëve është fakti se ata vijnë si propozime partiake, çka i bën që paraprakisht të jenë të etiketuar politikisht.

“Unë njëkohësisht kam propozuar – dhe kjo u pranua dhe u hap debat e diskutim për atë çështje – që Prokurorin Publik të Shtetit ta propozojë Presidenti i shtetit. Pse? Sepse dikush duhet të mbajë përgjegjësi për zgjedhjen e tij. Do të thotë, dikush duhet ta mbajë konkretisht barrën edhe të suksesit të tij, por edhe të dështimit të tij. Duhet të dihet saktë se kush është ai si propozues”, theksoi Avokati Vladimir Tufegxhiq.

Edhe kolegu i tij, avokati Ellenko Millanov, pajtohet se zgjedhja që vjen si propozim partiak nuk është e mirë.

“Kjo nuk do të duhej të shkonte si ndonjë funksion politik, siç ka shkuar deri tani, dhe për mua, si profesionist që kurrë nuk kam qenë në funksion shtetëror, por për shtetin është turp fakti që nga 5 ose 6 kryeprokurorët e fundit, të paktën 4 i kemi shkarkuar për joprofesionalizëm, paaftësi dhe papërshtatshmëri. Nëse kanë qenë të tillë, pse janë zgjedhur?”, u shpreh Avokati Elenko Millanov.

Procesi i shkarkimit të Kocevskit ka nisur që rreth dhjetë muaj më parë, respektivisht në shkurt 2025, por për shkak të tragjedisë në Koçan, e më pas edhe për shkak të zgjedhjeve lokale, ai u shty. Kocevski ditët e fundit ka deklaruar se iniciativën për shkarkimin e tij e sheh si një vendim politik. Kjo procedurë është përmendur edhe në Raportin e Komisionit Evropian, ku është konstatuar se ka mangësi në normat ligjore për shkarkim, por edhe rrezik nga politizimi.