Vitamina C është një lëndë ushqyese kyçe që gjendet në shumë fruta dhe perime dhe është thelbësore për ruajtjen e një sistemi imunitar të shëndetshëm. Megjithatë, marrja e tepërt e suplementeve mund të ketë disa efekte anësore.

Meqenëse trupat tanë nuk e ruajnë ose prodhojnë vitaminën C, është e rëndësishme të hamë ushqime që e përmbajnë këtë vitaminë. Edhe në doza të larta, vitamina C nuk është toksike, por disa nga efektet anësore më të zakonshme që mund të ndodhin në doza të larta janë diarreja, të përzierat, dhimbjet dhe probleme të tjera gastrointestinale.

Megjithatë, nëse merrni më shumë se doza e rekomanduar, trupi juaj mund të ketë vështirësi në përpunimin e saj dhe mund të shfaqen efekte negative. Është e rëndësishme të theksohet se suplementet e vitaminës C zakonisht janë të panevojshme pasi shumica e njerëzve mund të marrin lehtësisht mjaftueshëm nga kjo vitaminë duke ngrënë ushqime të freskëta, veçanërisht fruta dhe perime.

Simptoma të tretjes

Efekti anësor më i zakonshëm i konsumit të tepërt të vitaminës C janë çrregullimet e tretjes, dhe kjo ndodh kryesisht si rezultat i marrjes së dozave të larta të suplementeve të vitaminës C. Simptomat më të zakonshme të tretjes përfshijnë diarrenë dhe të përzierat.

Sipas Healthline, është raportuar se konsumimi i tepërt çon në refluks acidi, megjithëse provat shkencore nuk e mbështesin këtë.

Vitamina C njihet për përmirësimin e përthithjes së hekurit. Megjithatë, njerëzit që kanë gjendje që rrisin rrezikun e akumulimit të hekurit në trup, siç është hemokromatoza, duhet të jenë të kujdesshëm me suplementet e vitaminës C.

Në raste të tilla, marrja e tepërt e kësaj vitamine të rëndësishme mund të çojë në mbingarkesë me hekur, e cila mund të jetë e dëmshme për zemrën, mëlçinë, pankreasin, gjëndrën tiroide dhe sistemin nervor qendror.

Gur në veshka

Trupi juaj ekskreton vitaminën C të tepërt si oksalat, një produkt mbeturinash që largohet nga trupi në urinë. Megjithatë, në rrethana të caktuara, oksalati mund të lidhet me mineralet dhe të formojë kristale që mund të çojnë në gurë në veshka.

Konsumi i tepërt i vitaminës C mund të rrisë sasinë e oksalatit në urinën tuaj, gjë që rrit rrezikun e zhvillimit të gurëve në veshka, raporton Healthline. Marrja e lartë e vitaminës C nuk lidhet vetëm me sasi më të larta të oksalatit në urinën tuaj, por është gjithashtu e lidhur me zhvillimin e gurëve në veshka, veçanërisht nëse konsumoni më shumë se 2,000 mg në ditë.

Duhet theksuar se është pothuajse e pamundur të merrni shumë vitaminë C vetëm nga ushqimi, por nëse merrni edhe suplemente, duhet të jeni të kujdesshëm me marrjen e saj.

The post Çfarë efektesh anësore mund të shfaqen nëse merrni shumë vitaminë C? appeared first on Alsat.