Moti sot pritet të jetë kryesisht i vranët, me reshje të kohëpaskohshme shiu. Reshjet më të dendura do të shfaqen në pjesët perëndimore dhe jugore të vendit, ndërsa në zonat malore më të larta ato do të kalojnë në borë. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi juglindor. Temperaturat minimale do të jenë nga 2 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të lëvizin nga 8 deri në 12 gradë.
Në Shkup pritet mot kryesisht i vranët me reshje lokale të kohëpaskohshme dhe erë të lehtë jugore. Temperatura minimale do të zbresë në 3 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri në 11 gradë.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njofton se, nën ndikimin e aktivitetit ciklonik, nga sonte në mbrëmje e deri në fund të javës do të pasojë një periudhë me mot kryesisht të vranët dhe me reshje lokale shiu, të cilat do të jenë më intensive në pjesët perëndimore dhe jugore. Në disa prej maleve më të larta, reshjet do të shndërrohen në borë. Temperaturat minimale do të mbeten pozitive në gjithë territorin.
