Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku i ka reaguar Kryeministrit Albin Kurti i cili tha se opozita nuk po e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, gjë për të cilën sipas saj është vetë ai që po e bën këtë gjë.
Ajo në postimin e saj në Facebook, ka shkruar se pa asnjë kusht kanë votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare.
“Albin, Nëse ka një njeri që nuk e njeh rezultatin zgjedhor në Kosovë, ai je ti. Falë atij rezultati, ti e udhëheq Qeverinë dhe Kuvendin. Po 51% nuk janë 100%. Kush është shtetar, institucionalist dhe respekton Kushtetutën, nuk dëshmohet vetëm nga e kaluara e largët, por mbi të gjitha nga veprimet e sotme. Si opozitë, pa asnjë kusht, kemi votuar zgjatjet buxhetore dhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe dje, madje edhe me procedurë të përshpejtuar.”, ka shkruar Çitaku.
Ajo thotë se Kryeministri nuk e ka problem ta përmbys rendin kushtetutes por që diçka të tillë nuk do ta lejojnë.
“Ti, Albin, nuk e njeh bashkëpunimin, as kompromisin. Ti kërkon nënshtrim. Dhe PDK nuk nënshtrohet. Si shkelës serik i Kushtetutës, nuk e ke problem ta përmbysësh edhe rendin Kushtetues. Por këtë nuk do ta lejojmë. Ky vend dhe kjo Republikë janë ndërtuar me mund e me gjak. Dhe nuk do të lejojmë që të shkatërrohen”, ka shkruar Çitaku.
