Organizata joqeveritare CIVIL, e cila ka vëzhgues në procesin zgjedhor, ka porositur vëzhguesit e vet që të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Kodin për vëzhgim dhe Ligjin Zgjedhor, si dhe parimet themelore të ekskluzivitetit, mobilitetit dhe paanshmërisë në punë.
“Ne jemi aleatë me qytetaret dhe qytetarët dhe qëndrojmë fort pas ligjeve dhe parimeve demokratike. Çdo vëzhgues është mobil dhe ndjek udhëzimet nga koordinimi qendror i organizatës. Jini të kujdesshëm gjatë kryerjes së detyrave tuaja dhe kujdesuni për sigurinë tuaj,” thuhet në mesazhin e kësaj organizate.
Më tej CIVIL u ka rikujtuar vëzhguesve të vet për rëndësinë e rolit që kanë në procesin zgjedhor.
“Sot ju jeni rojtarët e procesit demokratik. Ne jemi në shërbim të qytetareve dhe qytetarëve të vendit tonë. Mbrojtja e të drejtës për votë, e vullnetit të tyre të lirë është detyra jonë e vetme në ditën e zgjedhjeve. Ne kemi për obligim ta mbrojmë këtë të drejtë pa kompromis, plotësisht dhe deri në fund — si gjithmonë deri tani. Juve dhe të gjithë qytetareve dhe qytetarëve ju urojmë zgjedhje të qeta, demokratike dhe të ndershme,” qëndron në mesazhin publik të CIVIL-it.
The post CIVIL porositi vëzhguesit: Përkushtim, paanshmëri, punë ekipore dhe profesionalizëm appeared first on Alsat.

