Prokurori shtetëror Kocevski, me shumë gjasë, nuk do të japë dorëheqje pas votimit të interpelancës ndaj tij në Kuvend. Në një intervistë për gazetën “Veçer”, ai paralajmëroi se ka qëllim të vazhdojë edhe më fuqishëm përballjen, siç tha, me rastet e mëdha të krimit dhe korrupsionit.
“Politikën e lë për politikanët dhe do të përdor një fjalë të fortë: prapësi – prapësi ndaj rasteve për të cilat ju siguroj se kemi dëshmi të forta për t’i fituar në gjykatë. Rasti ‘Onkologjia’, për të cilin kam edhe obligim personal që ta vërtetojmë, pastaj rasti me biznesmenin nga Strumica, Krmzov – po dëshmojmë krim prej 90 milionë eurosh, më pas vrasjet nga përleshjet kriminale dhe sigurisht rasti për të cilin angazhohem personalisht përpara familjeve që të ketë epilog ligjor – zjarrin në diskotekën ‘Pulse’”, tha Ljupço Kocevski – Prokuror Shtetëror.
Kjo deklaratë e Kocevskit vjen vetëm disa orë pasi Qeveria bëri të qartë se pas votimit të mosbesimit në Kuvend, ata presin që ai të japë dorëheqje.
Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se deputetët e kanë thënë mendimin e tyre dhe tani radha është te Kocevski ose te Qeveria.
“Zëri ynë, zëri i përfaqësuesve të popullit është dëgjuar. Tani mbetet që institucionet e tjera ta dëgjojnë këtë zë të deputetëve – kjo është Qeveria, vetë Prokurori Shtetëror dhe Këshilli i Prokurorëve, të cilët duhet të deklarohen nëse mendojnë se duhet të veprojnë pas këtij zëri që u shpreh qartë në Kuvend”, theksoi Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit.
Nga ana tjetër, kryeministri Hristijan Mickoski në tribunën e djeshme në Shtip nuk tha nëse do të ndërmarrë diçka pas interpelancës për Kocevskin, por akuzoi LSDM-në dhe BDI-në për lidhje me prokurorinë.
“Le ta thërrasin, le të mbyllen në ndonjë zyrë ata pak që kanë mbetur në udhëheqjen e LSDM-së dhe BDI-së dhe ta pyesin Kocevskin se ku ka mbetur. Ne nuk do të heqim dorë nga lufta për drejtësi dhe jetë më të mirë. Do të ketë drejtësi dhe të ardhme më të mirë që duam ta sjellim.”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Interpelanca nuk ka efekt juridik dhe nuk mund vetëvetiu të iniciojë shkarkimin e prokurorit. Procedura tjetër për shkarkimin e tij është ajo që Qeveria nisi që në shkurt të këtij viti, por për këtë nevojitet mendim nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Këshilli që atëherë dha mendim negativ për propozimin për shkarkim, por Qeveria gjithsesi ka të drejtë ligjore që ta dorëzojë iniciativën në Kuvend.
