Gazetar: Zekirija Haxhiu

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov mendon se ka ardhur koha që parimi i Badenterit të rishikohet. Këtë deklaratë të dhënë për “Fokus”, Filkovi e lidhte me mundësinë e keqpërdorimit, siç e quajti ai, të Badenterit në aspektin e miratimit të ligjeve në Kuvend.

“Përdorimi i shumicës së Badenterit po keqpërdoret. Nëse është kështu, atëherë ndoshta ka ardhur koha të mendojmë për nevojën që kjo të rishikohet. Maqedonia duhet të ecë përpara!”, tha Igor Fillkov – Ministër i Drejtësisë.

Deklarata e shkurtër e Fillkovit ishte dhënë para se në Kuvend, pikërisht për shkak të mungesës së Badenterit, të dështonte të shtunën e kaluar votimi i ndryshimeve të Kodit Zgjedhor që do të vendoste një kornizë lidhur me mbledhjen e firmave për kandidatët e pavarur, për kryetarë komunash e për këshilltarë komunalë.

Deklarata e Fillkovit nuk jep detaje të mjaftueshme për cilësinë në të cilën ai ka folur, dhe për këtë ALSAT dërgoi pyetje në kabinetin e tij nëse qëndrimi i tij në intervistë ishte individual, i Lëvizjes ZNAM prej nga ai vjen, apo si qëndrim i Qeverisë. Parimi i Badenterit, i quajtur si parimi i votimit të dyfishtë rrjedh nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Me miratimin e amendamenteve kushtetuese XX-XXX të Kushtetutës, votimi i disa amendamenteve kushtetuese, ligjeve, apo disa akteve të tjera juridike që kanë të bëjnë me bashkësitë joshumicë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, apo në njësitë e vetëqeverisjes lokale, bëhet përmes sigurimit të shumicës së votave edhe nga pjesëtarët e bashkësive që nuk janë shumicë.

Ky parim është element bazë kundër mundësisë së majorizimit nga pjesëtarët e komunitetit shumicë. Nga ana tjetër, zbatimi i Badenterit ka qenë garantues i ruajtjes së karakterit shumetnik të shtetit ashtu siç parashikon vetë kushtetuta. Megjithatë, është e qartë gjithashtu që historia parlamentare njeh edhe raste të bllokimeve nga ana e opozitës, pa të cilën shpeshherë numrat e Badenterit nuk mund të arrihen. Të shtunën e kaluar në Kuvend, Fronti Evropian nuk lejoi që të kalonin ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Për të siguruar Badenterin në Kuvend nevojiten së paku 20 vota të deputetëve jomaqedonas, nga gjithsej 39 sa kanë të drejtë vote. Shumica parlamentare për momentin ka vetëm 14 deputetë jomaqedonas ndërsa ky numër mund të rritet në 15 nëse deputeti Bejxhan Iljaz i bashkëngjitet shumicës parlamentare, pas njoftimeve se partia Demokratike Turke braktisi Frontin Evropian./ Alsat.mk

The post Çka tha sot Filkov për Badenterin? – Këto janë detajet appeared first on Alsat.