Çmimet e naftës kanë rënë nën 100 dollarë për fuçi, ndërsa bursat amerikane e mbyllën ditën me rritje, pas fitores bindëse të demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, raporton BBC.
Çmimi i një fuçie nafte bruto të llojit “Brent”, e cila shërben si referencë globale për çmimet e naftës, të mërkurën shënoi rënie prej më shumë se 8 për qind, duke zbritur në rreth 95 dollarë. Ky është niveli më i ulët i çmimit në dy muajt e fundit.
Rënia pasoi deklaratën e zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, i cili la të kuptohet se republikanët i humbën zgjedhjet për shkak të luftës në Iran.
Vance bëri thirrje për përfundimin e luftës, përqendrimin e vëmendjes te kostoja e jetesës dhe rishqyrtimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Izraelin.
Investitorët i interpretuan deklaratat e tij si sinjal se humbja zgjedhore e republikanëve mund të çojë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe në zvogëlimin e rrezikut për përshkallëzimin e konfliktit me Iranin.
Ndërkohë, indekset kryesore të bursave amerikane shënuan rritje të konsiderueshme.
Indeksi “Dow Jones” u rrit me 3 për qind, indeksi më i gjerë “S&P 500” shënoi rritje prej 1,6 për qind, ndërsa indeksi teknologjik “Nasdaq” u rrit me 1,4 për qind.
