Periudhë grejs deri në 3 vjet dhe afat për pagesë deri 15 vjet. Kjo u dakordua në takimin e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe ministres së financave Gordana Dimitrieska-Koçoska me sektorin e biznesit. Të dyja palët u ulën në tryezë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për kushtet me të cilat bizneset do ta shfrytëzojnë huamarrjen hungareze prej 250 milionë eurove të dedikuar kompanive vendase.
“Në pjesën e afateve dolëm me qëndrim të përbashkët se varësisht nga kërkesat e klientëve do ta përdorim formulimin e periudhës grejs deri 3 vjet dhe afatit për pagim deri 15 vjet, sepse anëtarët na thanë se ka klientë të caktuar që duan ndoshta një afat më të shkurtër, andaj themi deri 3 vjet dhe afat për pagim deri 15 vjet. Këtë mendoj se e dakorduam dhe e pranuam”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
Afatet u dakorduan por mbeti e hapur çështja për lartësinë e normës së interesit sipas së cilës bizneset do t’ua paguajnë kredinë bankave. Mickoski tha se në pjesën e normave të interesit do të bisedohet edhe javën e ardhshme, por nuk deshi të tregonte përqindjen për të cilën do të negociohet.
“Tani nuk do të flisja për përqindjet, do të flisja për vullnetin e shprehur nga të dyja palët ka vullnet për afrimin e qëndrimeve dhe për harmonizimin e tyre. Ato 3.25% do t’i paguajmë ne si qeveri. Ne, ndoshta pas disa vitesh do të japim eurobond me të cilin para kohe do ta kthejmë këtë kredi, sepse e dimë se në atë pjesë nuk kemi normë interesi. Ndoshta do të vendosim edhe disa mekanizma të tjera varësisht nga interesi i shtetit. Qëllimi është që norma e interesit që do ta ofrojnë bankat të jetë sa e ulët”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Maqedonia mori huamarrje nga qeveria hungareze në vlerë prej 500 milionë eurove. Gjysma e parave janë për projekte të infrastrukturës të komunave, ndërsa gjysma tjetër do t’u jepet kompanive si kredi. Këto 250 milionë euro përmes Bankës maqedonase për investime do të transferohen në bankat ku kompanitë do të mund të aplikojnë për të marrë kredi.