Danimarka njoftoi sot një masë të re që synon të mbrojë shëndetin mendor të fëmijëve: të miturve nën 15 vjeç do t’u ndalohet qasja në platformat e rrjeteve sociale, ndërsa prindërit do të kenë mundësinë të lejojnë akses për fëmijët mbi 13 vjeç në platforma të caktuara, bënë të ditur zyrtarët e qeverisë.

Qeveria argumenton se kufizimi i aksesit është i nevojshëm për të luftuar efektet negative të përdorimit të tepruar të rrjeteve sociale tek të vegjëlit, duke përmendur humbjen e kohës, ndikimin në mirëqenie dhe rreziqet për shëndetin mendor.

Në një fjalim para parlamentit muajin e kaluar, kryeministrja Mette Frederiksen mbështeti vendosjen e kufizimeve, ndërsa Ministrja e Dixhitalizimit, Caroline Stagge Olsen, deklaroi:

“Të ashtuquajturat rrjete sociale po lulëzojnë, duke u vjedhur kohën, fëmijërinë dhe mirëqenien fëmijëve tanë, dhe ne do ta ndalojmë këtë tani.”

Sipas zyrtarëve, shumica e partive parlamentare kanë mbështetur masën, duke e konsideruar atë një hap përpara në mbrojtjen e të miturve nga përmbajtje dhe praktika që dëmtojnë zhvillimin e tyre.