Në vend që të mbetet vetëm gëzim e hare, dasma në ditët e sotme për shumë mysafirë është kthyer në një hall të madh. Zarfi që dikur simbolizonte dhuratë e sinqertë dhe ndihmë për çiftin e ri, sot është bërë barrë e rëndë për xhepat e njerëzve.

Çmimet e rritura, rrogat e vogla dhe kriza ekonomike po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë pjesëmarrjen në dasma. Mysafirët shpesh janë të detyruar të japin më shumë se sa munden, vetëm për të mos dalë “të turpëruar” para shoqërisë. Në vend që të ndihen të gëzuar për çiftin, ata shpesh largohen të rraskapitur financiarisht.

“Shkon në dasmë me qejf, por del me mendjen tek kredia ose tek faturat e papaguara,” thotë një qytetar. “Është sikur festa po të merr frymën.”

Në një kohë kur varfëria po e mbyt çdo ditë e më shumë familjen shqiptare, zakoni i zarfit po shndërrohet në një barrë të papërballueshme. Dasma mbetet simbol i gëzimit, por pas perdes së muzikës dhe vallëzimit, shumë njerëz po ndihen të rënduar, të detyruar dhe të lodhur nga ky zakon që nuk njeh krizë.

The post Dasma është festë, por zarfi po bëhet barrë e rëndë për mysafirët appeared first on Alsat.