Shqipëria do të mirëpresë një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe: ‘Defender Europe 25’, e drejtuar nga Komanda Europiane e SHBA. Në një postim në rrjetet sociale ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Pirro Vengu tregoi se “forcat e NATO-s dhe partnere do të stërviten në Shqipëri dhe Kosovë për mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe për sigurinë në pika kyçe dislokimi”.

-Ky është një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë: NATO është e bashkuar, nënvizon Vengu.

Stërvitja do të nisë më 25 maj dhe do të zgjasë deri më 9 qershor. Ajo synon të rrisë gatishmërinë dhe aftësinë për të vepruar në mënyrë të koordinuar ndërmjet forcave të SHBA-së, NATO-s dhe vendeve partnere. “Defender Europe 25” përfshin një sërë aktivitetesh luftarake të shkallës së gjerë, që shtrihen në disa vende të Europës dhe është ndërtuar sipas skenarit të Nenit 5 të NATO-s, që simulon mbrojtjen kolektive të aleatëve.