Gazetar: Zekirija Haxhiu
Në segmentin Gostivar-Bukojçan, pjesë e projektit të Korridorit 8 për momentin punojnë rreth 600 punëtorë dhe më tepër se 500 makineri ndërtimore. Siç njoftoi drejtori i N.P “Rrugë Shtetërore” Koce Trajanovski, kjo pjesë është më e vështira nga i gjithë korridori 8. Ka mbetur të përfundojë eksproprijimi i disa tokave që kalojnë përmes fshatrave Zdunje, Debresh, Banjicë dhe Mitroj Krsti.
“Korridori 8 do ta transformojë të ardhmen ekonomike të Maqedonisë së Veriut duke lidhur Lindjen me Perëndimin, duke lehtësuar tregtinë dhe duke krijuar mundësi për qytetarët tuaj. Korridori 8 është një aset strategjik që do të mundësojë lëvizjen e shpejtë të personelit dhe pajisjeve, duke forcuar mbrojtjen tonë kolektive dhe stabilitetin rajonal. Projektet me një rëndësi të tillë strategjike kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm të burimeve, afateve kohore dhe vullnetit politik”, deklaroi Nicole Varnes – U.d ambasadore e SHBA në Shkup.
Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski tha se ky segment pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2029
“Marrë parasysh se pushteti i kaluar përpos që nënshkroi marrëveshje dhe pagoi avans në vlerë prej 240 milion euro dhe asnjë gurë nuk u vendos, është logjike që ato dy vite që u humbën të kompenzohen pasi ndërtuesi nuk kishte mundësi të punojë dhe për këtë shkak, afati tani është dhjetori 2029 dhe nuk do të ketë më toleranca nga ky afat”, u shpreh Aleksandar Nikollovski.
Ky segment është pjesë e Korridorit 8, ndërsa aktivitetet ndërtimore i kryen konsorciumi amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. /Alsat.mk
The post Delegacion qeveritar bashkë me përfaqësues të SHBA-së, kryen mbikëqyrje në punët ndërtimore që po zhvillohen përgjatë korridorit 8 appeared first on Alsat.
