“Bëhuni pjesë e historisë së zhvillimit të Maqedonisë – një shtet që ka vizion të qartë për të ardhmen, derë të hapur për investime të reja dhe përkushtim të fortë për zhvillim ekonomik.” Këtë mesazh kryeministri Hristijan Mickoski ua ka drejtuar biznesmenëve turq në forumin e biznesit në Stamboll.

Mickoski, së bashku me disa ministra, mes të cilëve Durmishi, Nikolloski dhe Mucunski, por edhe biznesmenë nga Maqedonia, gjatë këtyre dy ditëve ndodhen në qendrën më të madhe ekonomike të Turqisë, Stamboll, me qëllim lidhjen e biznesmenëve të Maqedonisë dhe të Turqisë.

Sipas përshtypjeve të ditës së parë, Mickoski thotë se interesimi i biznesmenëve turq për investime në Maqedoni ka qenë i madh.

“Qëllimi ynë është që ekonomia jonë maqedonase dhe bizneset tona të lidhen me bizneset këtu në Stamboll, në Turqi. Ekziston vërtet një interes i madh nga biznesmenët turq për investime në Maqedoni. Ajo që ne do të bëjmë këto dy ditë këtu në Stamboll është të prezantojmë mundësitë e ekonomisë maqedonase dhe të gjitha mundësitë dhe mbështetjen që ne si Qeveri japim për tërheqjen e investimeve të huaja direkte”, deklaroi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Në fokus të forumit ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e shkëmbimit tregtar dhe hapja e mundësive të reja investuese. U prezantua edhe Harta për Inv estime në Maqedoni, e cila ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse të potencialeve investuese, zonave zhvillimore dhe mundësive për investim në vend, me qëllim promovimin e tyre para investitorëve të huaj.

Ministri i ekonomisë, Besar Durmishi, ka pasur disa takime me biznesmenë turq.

“Përmes Ligjit për mbështetje financiare të investimeve dhe konceptit të ri të zonave industriale të gjelbra, krijojmë mundësi të reja për investitorët, teknologjitë moderne dhe vende të reja pune me vlerë të shtuar. Përmes partneriteteve të qëndrueshme, politikave moderne ekonomike dhe vizionit të qartë për zhvillim, po ndërtojmë një ekonomi më konkurruese, më inovative dhe më tërheqëse për investitorët. Besoj se bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë do të vazhdojë të thellohet, duke sjellë investime të reja, vende pune cilësore dhe prosperitet të përbashkët për qytetarët e të dy vendeve”, thekson ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.

Forumi u organizua në kuadër të projektit “Promovimi i Hartës për Investime”, si pjesë e Programit për mbështetjen e zbatimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, të udhëhequr nga Qeveria e Maqedonisë dhe Sekretariati i Përgjithshëm, dhe i zbatuar në bashkëpunim me UNDP-në.