Negociatorët e paqes të Ukrainës mbërritën të shtunën në Shtetet e Bashkuara për të zhvilluar bisedime mbi detajet e një marrëveshjeje të propozuar për t’i dhënë fund luftës katërvjeçare me Rusinë, bëri të ditur kreu i zyrës së presidentit ukrainas.

Kyrylo Budanov tha se delegacioni do të takohet me të dërguarin e Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff, dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, si dhe me Sekretarin e Ushtrisë Amerikane, Daniel Driscoll.

“Ukraina ka nevojë për paqe. Ne po punojmë për të arritur rezultate”, deklaroi Budanov, ish-shef i inteligjencës ushtarake, përmes aplikacionit Telegram, raporton Reuters.

Presidenti Donald Trump ka ushtruar presion si mbi Kievin ashtu edhe mbi Moskën për të arritur një marrëveshje që do t’i jepte fund luftës. Megjithatë, pavarësisht raundeve të shumta bisedimesh, deri më tani nuk është arritur ndonjë përparim konkret diplomatik dhe luftimet vazhdojnë përgjatë një vije fronti që shtrihet mbi 1.200 kilometra.

Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara kanë hartuar një propozim paqeje me 20 pika, por Rusia ende nuk ka dhënë ndonjë koment për të.

Çështjet më të ndërlikuara përfshijnë lëshimet territoriale, garancitë e sigurisë dhe fatin e centralit bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, i cili aktualisht është nën kontrollin e Rusisë.

Zyrtarët ukrainas thanë se në agjendë do të jenë gjithashtu garancitë e sigurisë dhe një pako për rimëkëmbjen e Ukrainës pas luftës.

Presidenti Volodymyr Zelensky shprehu shpresën se javën e ardhshme, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, do të nënshkruhen dokumente me SHBA-në për një “paketë prosperiteti”, e cila synon të sigurojë rreth 800 miliardë dollarë investime për rindërtimin e Ukrainës.