Këtë pamje kishte Shkupi sot. Tymi i zi dukej nga çdo anë e kryeqytetit. Ai po del nga deponia në lagjen Vizbeg, pjesë e komunës së Shuto Orizares. Po digjen hekurishte të vjetra.
“Prej në mëngjes ka kapluar zjarri te mbeturinat në afërsi të Shutkës dhe Vizbegut, autoritetet janë në terren për të lokalizuar zjarrin”, raporton Fazile Halili, gazetare.
Nga policia informuan se zjarri i madh ka shpërthyer rreth orës 09:16 në një pikë për skrap në rrugën “B. Buna” në Shkup, ku kanë marrë flakë automjete të dëmtuara me bombola gazi, duke shkaktuar edhe shpërthime.
Deri më tani, sipas MPB-së, nuk është prekur ndonjë pronë private, ndërsa një person është lënduar dhe dërguar për ndihmë mjekësore.
Kryetari i Shutkës po ashtu në vendngjarje.
“Konstatuam se janë në rrezik edhe shtëpitë pas mbeturinave, nëpërmjet fushave, nëpërmjet tymit të dendur që po digjej së bashku me mbeturinat, zjarri iu afrua mureve të shtëpive dhe ne bëmë përpjekje së bashku me ekipet e zjarrfikësve dhe për momentin zjarri është lokalizuar atje”, tha Kurto Dudush, kryetar i komunës së Shutkës.
Përveç zjarrfikësve dhe qytetarëve të cilët ndihmuan për shuarjen, hedhje të ujit kishte edhe me helikopter. Nga MPB informuan se helikopteri “Austa Bell 212” u dërgua për të ndihmuar në shuarjen, por më pas, siç shtojnë, për shkak të erës së fuqishme dhe tymit të dendur, helikopteri u tërhoq në bazë.
Më pas, me kërkesë të Qendrës për Menaxhim me Kriza u ndërhy me “Air Traktorin” e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
E sikur të mos mjaftonte kjo tollovi, pati edhe sherr! Policia arrestoi pronarin e firmës që menaxhonte me deponinë.
“Për shkak të mosrespektimit të urdhrave të zyrtarëve policorë, është arrestuar A.N., pronari i firmës që menaxhon me deponinë. Po ndërmerren masa për shuarjen e zjarrit dhe hetimin e plotë të rastit”, thonë nga MPB.
TV21 kontaktoi edhe në numrin zyrtar të kompanisë “Asd Metal Group”, ku u paraqit një zonjë, por e pyetur për qëndrim, na tha se nuk është në disponim për një gjë të tillë.
