Huaja prej 260 milionë eurosh nga bankat ndërkombëtare, borxhi publik që po i afrohet 11 miliardë eurove dhe strategjia fiskale për periudhën 2027-2031 shkaktuan debat të ashpër në Kuvend mes pushtetit dhe opozitës. Për opozitën, pushteti për dy vjet e ka futur shtetin në borxh me 2,5 miliardë euro të reja. Nga ana tjetër, pushteti akuzoi se gjatë kohës kur Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ishte në pushtet, borxhi ishte rritur për 100 për qind. Opozita reagoi edhe për mungesën e ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në debatin e sotëm në seancë. Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankullovski, mbrojti si strategjinë fiskale ashtu edhe huamarrjen.

 “Çfarë shembulli jeni ju që t’i tregoni kësaj qeverie, e cila ka siguruar gjashtë tremujorë radhazi rritje ekonomike të shtetit, mesatarisht 3 për qind rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto, kur në periudhën nga viti 2017 deri në tremujorin e dytë të vitit 2026, e dyfishuat borxhin publik, me një rritje mesatare ekonomike të Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 1,9 për qind”, tha Nikolçe Jankullovski, zëvendësministër i Financave.

 “Duhet t’ju përgëzoj, e justifikuat gjithçka që shkon në drejtimin se jemi ekonomia e tretë në Evropë. Dhe për këtë PPE vërtet ju përgëzoj, sepse në programin tuaj askund nuk dëgjuam se do të jemi ekonomia e tretë në Evropë. Ja ku jemi”, u shpreh Sanja Lukarevska, deputete nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.

Opozita akuzon se buxheti është në gjendje të keqe dhe se po merret borxh për të mbuluar vrimat buxhetore. Sipas tyre, janë shfrytëzuar 77 për qind e deficitit buxhetor, ndërsa iu referuan deklaratës së guvernatorit Trajko Sllaveski se deficiti do të arrijë në 6 për qind. Ata druhen se pason edhe një huamarrje tjetër prej 350 milionë eurosh. Po ashtu, paralajmërojnë se me këtë ritëm të huamarrjes, deri në vitin 2030 do të duhet të kthehen 2,74 miliardë euro vetëm për kamata.

 “Vetë ministrja në postimin e saj në Facebook hapi një pyetje të re. Ajo shkroi se nga euroobligacioni prej 700 milionë eurosh, gjysma është shlyer, ndërsa gjysma tjetër duhet të shlyhet në qershor. Prandaj shtrohet pyetja nëse qeveria po përgatit një episod të ri borxhi prej rreth 350 milionë eurosh”, theksoi Fatmir Bytiqi, deputet nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.

 “Një pjesë e këtyre mjeteve, nga këto 260 milionë euro, do të përdoren për të shlyer një borxh të vjetër prej 350 milionë eurosh nga euroobligacioni i emetuar në vitin 2020. Hajde le të dalë dikush nga shumica qeveritare dhe të më thotë ku janë ato 700 milionë euro që ky shtet i mori në vitin 2020”, shtoi Bojan Stojanovski, deputet nga VMRO-DPMNE.

Deputetët me 65 vota “për” dhe 14 “kundër” miratuan huamarrjen prej 260 milionë eurosh nga bankat ndërkombëtare.