Gazetari: Suad Bajrami

Koalicioni VLEN thotë se nuk e ka problem t’i mbështetë ndryshimet ligjore të propozuara nga BDI-ja opozitare lidhur me zgjidhjen e problemit për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Deputetja Mimoza Musa në intervistën për Alsat thotë që s’ka asgjë të keqe të tejkalohen inatet politike edhe pse BDI-ja ka pasur kohë të mjaftueshme në pushtet për ta zgjidhur çështjen.

“Sigurisht unë jam pro të gjitha ligjeve që mundësojnë të tejkalojmë një problem që i tangon një pjesë të madhe të shoqërisë. Këtu nuk ka asgjë të keqe, të tejkalohen të gjitha inatet politike, pavarësisht a hyn propozimi nga qeveria apo nga opozita, në qoftë se janë ligje në të mirë të përgjithshme, konkretisht të këtyre studentëve që presin vite që ta japin provimin në gjuhën e tyre amtare unë jam për t’i mbështetur”, tha Mimoza Musa, Deputete e VLEN.

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët e krahut të Arben Taravarit, deklaratën e zëvendëskryeministri Bekim Sali se ligji ka zbrazëtirë, e quan relativizim të problemit, ndërsa mban përgjegjës edhe kreun e Kuvendit.
“VLEN është në Qeveri për të zgjidhur probleme, jo për t’u ankuar për ligje që i zbaton vetë prej vitesh. Me shqetësim shtrojmë pyetjen: pse Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, peticionin e studentëve shqiptarë e delegoi te Ministria e Drejtësisë dhe nuk e procedoi në Kuvend”, u shprehen Aleanca për Shqiptarët, krahu i Arben Taravarit.

Ndërkohë nga Zyra e Avokatit të Popullit kanë apeluar që çdo student që vlerëson se i është shkelur e drejta kushtetuese mund të ankohet tek ata. Paraprakisht nga Ministria e Drejtësisë u deklaruan se pa njohjen e gjuhës maqedonase, nuk mund ta ushtrohet detyra e gjyqtarit, prokurorit, avokatit, noterit apo përmbaruesit./Alsat.mk

The post Deputetja e VLEN-it Mimoza Musa është e gatshme t’i mbështesë ndryshimet ligjore qoftë edhe nga BDI-ja appeared first on Alsat.