Nga gjithsej 8.856 persona të sëmurë ose të pafuqishëm që mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto zgjedhje lokale, deri në orën 20:30 kanë votuar 7.935, përcjell TV21. Nga 2.162 persona që janë duke vuajtur dënimin në burg ose në paraburgim, deri në orën 18:30 kanë votuar 1.400, njoftoi sonte Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Në institucionet për kujdes jashtë familjes, deri në orën 18:30 nga 442 persona të vendosur aty, kanë votuar 297.

“Kjo kategori votuesish ka votuar pa ndërprerje dhe pa asnjë problem apo parregullsi”, thekson njoftimi i KSHZ-së.

KSHZ informon se rezultatet e votimit për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, për të burgosurit dhe për banorët e shtëpive të të moshuarve nuk do të publikohen veçmas sonte.

“Çdo fletëvotim individual është vendosur në një zarf të mbyllur dhe në kutitë e votimit, dhe nuk do të hapen sot. Numërimi i këtyre votave dhe publikimi i rezultateve do të bëhet së bashku me rezultatet e të gjithë votimit të zgjedhjeve nesër pas orës 19:00, për çdo vendvotim dhe çdo komunë”, thuhet në njoftimin e KSHZ-së.