Gazetar: Suad Bajrami

Në pritje të qëndrimit zyrtar nga ana e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, si udhëheqës i koalicionit Aleanca Kombëtare për Integrim, Arben Taravari përmes një statusi në Facebook u mburr me rezultatin e arritur nga kandidatët e tij në Gostivar dhe Vrapçisht, ndërsa e quajti Gostivarin bazë të re të opozitës shqiptare që do të sjellë risi në tërë dinamikën politike. Megjithatë, sipas njoftimit të KSHZ-së, në Gostivar dhe Vrapçisht nuk do të ketë rreth të dytë, por do të përsëritet procesi i votimit pasi nuk është arritur censusi.

Sa i përket porosive të Taravarit, Alsat parashtroi pyetje në BDI:
• Kur do të deklarohet zotëri Ali Ahmeti lidhur me rezultatin e zgjedhjeve komunale?
• Si e komentoni deklaratën e zotëri Arben Taravarit pas mbarimit të zgjedhjeve lokale se “Gostivari konfirmon që është baza e re e opozitës shqiptare dhe kjo do të sjellë risi në të gjithë dinamikën politike”?

Por për të dy pyetjet BDI nuk përgjigjet.

Ndërkohë, VLEN sot nëpërmjet një komunikate thekson se Taravari shkoi me BDI-në për gjashtë komuna, ngeli me katër dhe përfundoi me zero.

“Mosrealizimi i censusit në komunat e Gostivarit dhe Vrapçishtit është përgjigjja më e saktë ndaj akrobacioneve politike që për muaj të tërë u bënë në emër të shqiptarëve, por për interesa personale. Në rend të parë, kjo është përgjigje ndaj Arben Taravarit, e më pas ndaj Isen Shabanit, të cilët menduan se shqiptarët do t’i ndjekin pas në lojërat e tyre politike, duke i ndërruar parimet si të ishin monedha kusuri”, thonë nga VLEN.

Ndërkohë nga partia e Taravarit u kundërpërgjigjën duke theksuar se pa VMRO-DPMNE-në, VLEN nuk do të ekzistonte në skenën politike.
“Qytetarët ua kthyen shpinën për manovra politike, për mungesën e vizionit, sinqeritetit dhe lidhjet e tyre të hapura me struktura që kanë vepruar kundër interesave shqiptare. Bojkoti i censuseve në Gostivar e Vrapçisht ishte thikë pas shpine për kandidatët e tyre – që u përdorën si kurbanë. Arben Taravari fitoi bindshëm sepse qytetarët zgjodhën dinjitetin dhe jo pazaret politike në dëm të shqiptarëve”, thonë nga ASH e Taravarit.

Për rezultatin e zgjedhjeve deri më tani nuk është deklaruar edhe krahu tjetër i ASH-së, Ziadin Sela. /Alsat.mk

The post Derisa Ahmeti nuk ka asnjë reagim për rezultatin zgjedhor të rrethit të parë të zgjedhjeve lokale, Arben Taravari e shpall Gostivarin bazë të re të opozitës appeared first on Alsat.