Partia Liberal-Demokrate (PLD) do të propozojë ndryshime në Kodin Zgjedhor, sipas të cilave përfaqësuesit që Qeveria do t’i emërojë në komunat ku nuk u zgjodhën kryetarë për shkak të mungesës së censusit, nuk do të mund të kandidojnë kur të organizohen zgjedhje të reja, përcjell TV21. Ky propozim i PLD-së vjen pas dështimit të zgjedhjeve lokale në katër komuna, në Gostivar, Vrapçishtë, Qendër Zhupë dhe Mavrovë e Rostushë.
“Këto ndryshime PLD-ja do t’i propozojë për të shmangur çdo avantazh të padrejtë përpara kandidatëve të tjerë për kryetarë komunash, si dhe për të reduktuar mundësinë e keqpërdorimeve dhe veprimeve të pakujdesshme të përfaqësuesve të emëruar gjatë periudhës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përsëritura. Nëse ndryshimet e Kodit Zgjedhor miratohen dhe vendoset kufizimi që përfaqësuesit ( të emëruar nga qeveria) të mos mund të kandidojnë për kryetarë komunash në zgjedhjet e përsëritura në katër komunat që nuk arritën census në raundin e parë, do të krijohen kushte të drejta për një garë politike korrekte, të lirë nga çdo dyshim për keqpërdorime shtesë dhe ndikime politike”, thuhet mes tjerash në kumtesën e PLD-së./tv21.tv

