Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar katër raste të femicidit. Autorët kanë qenë partnerë ose ish-partnerë të viktimave. Ndërkohë, në 10 vitet e kaluara janë regjistruar gjithsej 115 raste të vrasjes së grave, të cilat, sipas Rrjetit kombëtar kundër dhunës ndaj grave ose dhunës në familje, janë në proces analizimi se cilat prej tyre bëjnë pjesë në kategorinë e femicidit.
“Çdo vrasje e gruas nuk është femicid, por këtë vit kanë ndodhur 4 femicide pasi autorët ishin partnerë ose ish partnerë të viktimave. Në periudhën e kaluar nga 2014 deri 2024 kemi një numër prej 115 vrasjeve, por këtu janë të përfshira edhe tentim vrasjet. Ajo që tani po punojmë, po bëjmë analiza të lëndëve gjyqësore me aktgjykime që të shohim se sa prej këtyre 115 vrasje dhe tentim vrasjeve janë femicide”, deklaroi Elena Dimushevska, Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Shteti nuk siguron fonde të mjaftueshme për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave, edhe pse ekzistojnë programe për parandalim.
“Programi për risocializim ekziston por jo i plotë ashtu siç duhet. Program si dokument është shumë e lehtë për t’u përpunuar, ajo që është më vështirë është që ta bindim qeverinë se duhet patjetër të ndaj para nëse me të vërtet duam të flasim për tolerancë zëro ndaj dhunës ose duam të flasim për parandalim… dhunën ndaj grave nuk mund ta parandalojmë nëse nuk parashohim fonde për shërbimet që u nevojiten viktimave”, deklaroi Elena Dimushevska, Rrjeti Kombëtar kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.
Nga Rrjeti Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave thonë se në shoqëri ende mbizotëron bindja e gabuar se viktimat e dhunës nuk kanë nevojë për mbështetje psikologjike, ndonëse është plotësisht e qartë se kjo ndihmë është e domosdoshme, si një nga kriteret e parandalimit. Sa i takon ndihmës financiare, shteti ofron vetëm 15 mijë denarësh, ndihmë e njëhershme. Rrjeti kundër dhunës ofron program risocializimi në të cilin thonë se për një grua viktimë e dhunës nevojiten të paktën 25 deri në 30 mijë denarë në muaj. /Alsat.mk
The post Dhuna dhe vrasja e grave nga partnerët merr përmasa shqetësuese appeared first on Alsat.
