
Shkup, 29 mars – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pret që nga sesioni i ardhshëm i dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të mbahet më 7 prill në Uashington, të dalin rezultate të shumta konkrete dhe të suksesshme.
Sipas tij, aktivitete të tilla konfirmojnë se Qeveria po ndjek një politikë të jashtme të qëndrueshme, parimore dhe strategjikisht të rëndësishme.
“Me partnerin tonë strategjik, SHBA-në, që është edhe partneri ynë më i madh, kemi një bashkëpunim të mirëfilltë dhe miqësor. Si pjesë e këtij bashkëpunimi është edhe ky dialog strategjik, i cili do të zhvillohet në fillim të prillit në Uashington. Në këtë takim do të marrin pjesë disa anëtarë të Qeverisë dhe do të bisedohet për bashkëpunim në disa fusha. Pres që ky të jetë një dialog i frytshëm strategjik dhe të sjellë rezultate të shumta të suksesshme,” deklaroi Mickoski.
Delegacioni qeveritar që do të udhëtojë drejt Uashingtonit do të udhëhiqet nga ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski. Pjesë e delegacionit do të jenë edhe ministrat Pançe Toshkovski, Vlado Misajlovski, Stefan Andonovski dhe Sanja Bozhinovska.
Mikpritës i delegacionit do të jetë zëvendëssekretari i Shtetit i SHBA-së, Christopher Landau.
Siç ka bërë të ditur ministri Mucunski, theks i veçantë gjatë dialogut do t’i kushtohet politikës së vizave, ndërsa në fokus do të jenë gjithashtu çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe bashkëpunimi tregtar dhe ekonomik. (koha.mk)
