Dimri në Maqedoni, pa periudha ekstreme! Periudha më e ftohtë pritet nga fundi i dhjetorit deri në mesin e janarit dhe nga fundi i shkurtit

Pa periudha të gjata ekstreme, por me valë episodike të ftohta,  kështu pritet të jetë ky dimër, sipas pritshmërive më të fundit klimatike sezonale për vendin. Temperatura mesatare e dimrit do të jetë mbi mesataren shumëvjeçare për rreth +1°C. Valë të ftohta me temperatura rreth ose nën normalen priten nga fundi i dhjetorit deri në mesin e janarit, si dhe nga fundi i shkurtit, por pa sinjale për periudha të ftohta dimërore të zgjatura apo ekstreme, përcjell TV21.

Parashikimi klimatik i përgatitur nga profesori Vllado Spiridonov, profesor i rregullt në Institutin e Fizikës pranë Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup, dhe profesori Ivica Milevski nga Instituti i Gjeografisë pranë të njëjtit fakultet, tregon se na pret një dimër kryesisht i ndryshueshëm, i cili do të jetë mesatarisht i ngrohtë krahasuar me mesataren klimatike (1991–2020).

– Në zonat më të ulëta, si Shkupi dhe Shtipi, priten temperatura mesatare dimërore prej 1–4°C (vlera normale: Shkup 1,1–2,4°C, Shtip 1,6–3,1°C), ndërsa në zonat malore, si Mavrova, temperatura mesatare do të jetë nga 0 deri në –3°C (vlera normale –2 deri –0,4°C). Numri i ditëve me ngrica do të jetë 30–55 në ultësira dhe 60–75 në male, ndërsa ditët me akull do të jenë relativisht të rralla në ultësira (5–15), por më të shpeshta në male (25–40). Valët e ftohta me temperatura rreth ose nën normalen janë më të mundshme nga fundi i dhjetorit deri në mesin e janarit, si dhe nga fundi i shkurtit, por pa sinjale për periudha të ftohta dimërore të gjata apo ekstreme, thuhet në analizën e bazuar në parashikimet sezonale të ECMWF dhe UKMO.

Reshjet do të jenë të shpërndara në mënyrë të pabarabartë rajonalisht dhe në aspektin kohor, ndërsa bora do të përqendrohet në zonat malore, veçanërisht në Maqedoninë perëndimore dhe veriore (Sharri, Bistra/Mavrovë, Baba, Jakupicë). Në pellgjet më të ulëta, shtresa e borës do të jetë e herëpashershme dhe e paqëndrueshme, me kalime të shpeshta mes shiut dhe borës.

– Gjysma e parë e dimrit do të karakterizohet nga alternimi i kreshtave me presion të lartë dhe sistemeve me presion të ulët, ndërsa në gjysmën e dytë pritet dinamikë më e vogël dhe një trend gradual i rënies së ngadaltë të presionit drejt fundit të marsit. Gjatë periudhave stabile anticiklonale, sidomos në pellgje, do të krijohen kushte për inversione të temperaturës, mjegull dhe stagnim të ajrit, gjë që do të çojë në përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së ajrit dhe episode të mundshme me përqendrime të larta të ndotësve ajrorë, veçanërisht në pellgun e Shkupit, Pollogut dhe Strumicës, analizojnë dy profesorët.

Nga aspekti hidrologjik, nuk priten skenarë dramatikë, por ekziston rrezik i moderuar për përmbytje lokale, sidomos gjatë reshjeve intensive të kombinuara me shkrirjen e borës, më së shumti nga fundi i shkurtit dhe në mars.

Ndryshimet, siç theksohet në analizë, ka gjasa të reflektohen në sektorin energjetik për shkak të kërkesës së ndryshueshme dhe rrezikut nga ngricat dhe bora e lagësht; në transport për shkak të bllokadave nga bora, akullit në rrugë, rrëshqitjeve në qafat malore dhe ortekëve; në shëndetësi për shkak të ndotjes së ajrit; si dhe në bujqësi për shkak të rrezikut nga ngricat dhe rrëshqitjet e tokës.

– Në përgjithësi, dimri 2025–2026 do të jetë më i ngrohtë se mesatarja, dinamik dhe me ngjarje të shprehura afatshkurtra dimërore, ku rreziqet kryesore burojnë nga ndryshueshmëria e motit, episodet e shkurtra me reshje intensive, stuhitë e borës në male dhe episodet me cilësi shumë të keqe të ajrit në pellgje. Ndjekja në kohë e parashikimeve të përditësuara dhe koordinimi ndërmjet institucioneve janë kyçe për minimizimin e dëmeve të mundshme, vlerësojnë profesorët Spiridonov dhe Milevski.