Elfete Ismaili nga ASh-Taravari ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje nga posti i zv/ministres së Mbrojtjes. Ismaili ka falënderuar kryeministrin Mickoski dhe Taravarin për mundësinë e dhënë. Kjo dorëheqje vijon pas daljes së ASH-së nga Qeveria. Dorëheqje tashmë ka dhënë edhe Taravari nga posti ministër i shëndetësisë, ndërsa konstatimi do të bëhet nesër në kuvend. Por kush do të bëhet ministër në vend të tij.

“Këtë javë shumë gjëra do të jenë më të qarta. Unë pres që të takohem me VLEN-nin dhe të flasim për ardhmërinë e Qeverisë, koalicionit, me një program të qartë për zgjedhjet lokale dhe më pas”, theksoi Hristijan Mickoski – kryeminister .

Tash më është bërë e ditur se krahu i Taravarit nuk kalon i tëri në opozitë. Zëvendëskryeministri Arben Fetai konfirmoi se mbetet në VLEN, ndërsa deputeti Salim Sulejmani dha dorëheqje. Në një shkrim në rrjetet sociale reagoi Taravari:

 “Rruga e Arbën Xhaferrit nuk kalon nga Qeveria që të quan 20%.Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke kërcënuar me burgje shqiptarët! Rruga e Ndryshimit nuk kalon duke shitur pozitën e deputetit për të shkuar ambasador n’Arabi. Rruga e Dinjitetit nuk kalon duke lënë partinë për një kolltuk ministri”, shtoi Arben Taravari – ASH.

Megjithatë nga VLEN thonë se insistimi në ASH, për të mos përfunduar në përqafim të Ali Ahmetit është shumë më i madh sesa kalkulimet e z.Taravarit.

“Vendosmëria se dhe insistimi për të mos përfunduar në përqafim te Ali Ahmeti është shumë më e madhe sesa kalkulimet e z.Taravarit. Sipas gjitha informacioneve që i kemi ne ky revolt do të vazhdojë edhe më tepër dhe do të materializohet sepse është një insistim për të për ta sjell edhe më shumë ndryshimin në skenën politike”, tha Orhan Murtezani – VLEN.

Ndryshe edhe ish-ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu ka konfirmuar se qëndron në VLEN. Burime të TV21 bëjnë të ditur se Aliu është kandidat i mundshëm për ministër në qeverinë VMRO-VLEN, por që nuk precizojnë nëse ai do të udhëheq me Ministrinë e Shëndetësisë, apo do të ketë shkëmbim të resorëve brenda VLEN-it.