Sot në Maqedoni shënohet 23 Tetori, Dita e Luftës Revolucionare të Maqedonisë. Në këtë datë, më 1893 në Selanik u themelua Organizata VMRO, me qëllim arritjen e autonomisë së Maqedonisë përmes veprimtarisë revolucionare. Kulmi i aktivitetit të VMRO-s është Kryengritja e Ilindenit në 1903 në Maqedoni.
Në përkujtim të kësaj dite, në Teatrin Kombëtar Maqedonas do të mbahet një akademi solemne me titull “Nga ideja deri te shteti”, ku do të marrë pjesë dhe do të flasë kryeministri Hristijan Mickoski.
Një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga deputetët Katerina Dimitrovska dhe Malisha Stankoviç, do të vendosë lule te monumenti “Themeltarët e VMRO-së” në Parkun “Gruaja Luftëtare” në Shkup.
Në Sallën Kristal të Kuvendit, në orën 12:00, do të jepet Çmimi Shtetëror “23 Tetori” për vitin 2025, për arritje të shquara në fushat e shkencës, kulturës, arsimit, mbrojtjes së interesave shtetërore dhe promovimin e vlerave dhe trashëgimisë kulturore-historike të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Çmimet në fushën e kulturës dhe artit do t’u jepen: Goce Todorovski, aktor; Aleksandar Kujundziski, shkrimtar për fëmijë dhe të rritur; Bratislav Tashkovski, poet, romancier, dramaturg dhe gazetar; dhe Akademik Bozhin Pavlovski, shkrimtar.