Ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano do t’i jepet sot (2 nëntor) lamtumira e fundit në një ceremoni shtetërore të organizuar nga Këshilli i Ministrave në Shqipëri.
Në nder të figurës së tij, qeveria ka shpallur sot Ditë Zie Kombëtare, ndërsa flamujt në institucionet shtetërore e publike do të ulen në gjysmë shtizë. Në orën 12:00, në të gjithë vendin do të mbahet një minutë heshtje, ndërsa çdo aktivitet publik do të ndërpritet për të respektuar kujtimin e një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare të tranzicionit.
Homazhet publike do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve nga ora 08:30 deri në 11:00, ku qytetarët do të kenë mundësinë t’i japin lamtumirën e fundit ish-kreut të qeverisë. Pas tyre do të mbahen homazhet shtetërore, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve më të larta të shtetit dhe të ftuarve nga Kosova.
Në ceremoni pritet të mbajnë fjalë përshëndetëse një anëtar i familjes Nano dhe kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të kujtojë kontributin e Fatos Nanos në jetën politike dhe në konsolidimin e Partisë Socialiste.
Kujtojmë se më 25 gusht 2023, Kryeministri Rama e nderoi ish-Kryeministrin Nano me medaljen e “Mirënjohjes Publike”, klasa I, “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike”, si shenjë vlerësimi për kontributin e tij të veçantë në ngritjen e institucioneve demokratike, promovimin e tolerancës politike dhe rolin vendimtar në momente të rëndësishme të jetës shoqërore dhe kombëtare.
Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore, kortezhi funebër do të përcjellë trupin e të ndjerit për në banesën e fundit, në një ceremoni private familjare.
Ish-kryeministri, Fatos Nano u nda nga jeta në moshën 73-vjeçare dhe do të mbahet mend si një prej figurave qendrore të së majtës shqiptare dhe një lider që la gjurmë të thella në historinë politike të vendit.

