Me një kastë aktorësh të Teatrit të Tetovës, nesër do të shfaqet premierë e shfaqjes “Në përballje me vdekjen” të autorëve Uilliam Shekspir dhe August Stronberg. Nën regjinë e Afërdita Nuhijit, shfaqja trajton marrëdhëniet ndërfamiljare, ndërsa aktualiteti i saj bën që çdo spektator të mund të gjejë veten në ndonjë pjesë të saj.
“Procesi ka qenë shumë i mirë, shumë i këndshëm dhe jo shumë i gjatë. Një muaj e gjysmë kemi bërë prova, por uroj që kjo shfaqje të ketë shumë jetëgjatësi, sepse sjell fenomenin aktual që e kemi, dhe uroj që shfaqja të shëtisë gjithandej. Është më tematikë mes fëmijëve dhe prindërve, por kapen edhe linjat e marrëdhënieve mes familjes, mes motrave e miqve”, tha Afërdita Nuhiju.
“Shfaqja është dramë socio-ekonomike ku nxjerr raportet mes prindërve dhe fëmijëve dhe ajo se deri ku mund të arrijë një prind për mirëqenien e fëmijës së vetë”, tha Blerim Ismani
Një ditë pas kësaj premiere, Tetova do të vazhdojë me Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë, “Ditët e Naimit”, i cili sivjet mbahet për të 29-tën herë. Festivali nis me manifestimin para Shtëpisë së Kulturës në orën 19:30.
“Më pas në sallën e madhe të pallatit, ku do të çelet edicioni i 29, do të lexojnë poetët krijimet e tyre. Aty do ndahet edhe çmimi ‘Naim Frashëri’ poetit të madh Manfred Çobot”, tha Shaip Em;rllahi
Manifestimi letrar “Ditët e Naimit” do të zhvillohet si zakonisht në ambientet e Teqesë Arabati Baba në Tetovë, ku poetë nga vende të ndryshme të botës do të prezantojnë krijimtarinë e tyre poetike.