Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka reaguar pas sulmit në një shtëpi në Zveçan.

Ai njofton se fatmirësisht nuk ka të lënduar, veçse dëme materiale, duke pohuar se Qeveria e Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt.

“Rreth orës 00:30 gjatë mesnatës një patrollë policore ka identifikuar tym në një nga shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në Kodrën e Minatorëve.

Zjarri është fikur dhe dëmet janë sanuar. Fatmirësisht, nuk ka asnjë person të lënduar veç dameve materiale.

Kjo nuk është hera e parë që ka sulme të tilla, mirëpo kjo nuk është as hera e fundit që do të ndërtohen shtëpi të reja.

Qeveria e Republikës së Kosovës e denon fuqishëm këtë akt dhe as ky e asnjë sulm tjetër nuk e ndal kthimin e banorëve në pronat e tyre. Kërcënimet, shantazhet, pamfletat terroriste, nuk i friksojnë qytetarët dhe as nuk e ndalojnë punën tonë për sigurimin e banimit të qendrueshëm”.

Siç thotë ministri, “ky sulm është nxitje e mosdurushmërisë etnike e cila nxitet nga Vuçiçi i cili ka mbetur i mbyllur në propagandën e tij dhe e ka humbur kontrollin e strukturave paralele në pjesën veriore”.