Stacioni hekurudhor i Shkupit brenda 5-6 viteve do të rimarrë shkëlqimin e dikurshëm. Rikonstruksionin e paralajmëroi drejtori i “hekurudhat e Maqedonisë – Infrastruktura”, Sinisha Ivanovski, i cili tha se plani është që të jetë gati në të njëjtën kohë me hapjen e linjës së shpejtë në Korridorin 10 dhe degës hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

“Nëse përfundojmë projektin brenda një viti nga dita e sotme deri në një vit e gjysmë, pas kësaj për financim ose do të shkojmë me Buxhetin Shtetëror, opsioni i dytë është të bëhet një hua nga huatë klasike që kemi deri tani me BERZH, me BEI, bankat komerciale, por nuk e përjashtoj mundësinë që ky stacion hekurudhor të hyjë në partneritet strategjik me Mbretërinë e Bashkuar për shkak se me ta do të bëjmë shumë projekte kapitale infrastrukturore”, tha Sinisha Ivanovski.

Ivanovski tha se stacioni hekurudhor do të ruajë pamjen bazë siç është ndërtuar në vitin 1981 sipas projektit të Kenzo Tanget, por njëkohësisht do të ketë edhe elemente të reja bashkëkohore dhe moderne në arkitekturë. Do të bëhet ndryshim i instalimeve, do të zgjidhet ngrohja, ftohja, uji.

“Ajo që stacioni dukej si pit-stop i Formula 1 tashmë nuk do të jetë kështu. Do të ketë ndalim të reklamimit, në çdo lloj billbordi që shihni aktualisht. Dhe këtë nuk do ta presim projektin, do të fillojmë menjëherë. Kontratat që kemi për qiranë e paneleve reklamues nuk do t’i vazhdojmë. Ato që janë aktuale do t’i lutemi kompanive për një sjellje pak më të ndërgjegjshme, të përgjegjshme shoqërore, t’i shfuqizojmë me marrëveshje. Më pas do të ketë ndryshim të përmbajtjeve. Stacioni hekurudhor nuk mund të jetë një hub i turbo-folk-ut në vend”, deklaroi Sinisha Ivanovski.

Projekti do të realizohet së bashku me Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës.

“Ne presim që me të gjitha ndërhyrjet që do t’i propozojmë dhe padyshim që në plan të parë do të përfshijnë rikonstruksionin e gjendjes origjinale, me gjithë respektin ndaj projektuesit të madh, gjithashtu do të kontribuojnë edhe me përmirësimin e disa përmbajtjeve që do ta bëjnë këtë objekt një hub të vërtetë social”, u shpreh Aneta Hristova Popovska.

“Ky fillim është shumë i rëndësishëm sepse të gjithë ne duam të jemi pjesë e një familjeje më të gjerë, të jemi pjesë e asaj rrjete panevropiane ku ne i përkasim”, deklaroi Josif Josifovski.

Punimet ndërtimore për linjën e shpejtë të Korridorit 10 pritet të fillojnë vitin e ardhshëm, dhe të jenë gati dhe të hapura për përdorim pas pesë-gjashtë viteve së bashku me stacionin e rikonstruktuar hekurudhor dhe degën hekurudhore drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit. Paralelisht me këtë, “Hekurudhat e Maqedonisë – Transporti” do të duhet të blejë trena dhe lokomotiva të reja.