Drejtoria e Doganave, për më pak se pesë muaj, ka dorëzuar 85 kallëzime penale, që është e barabartë me numrin total të kallëzimeve të bëra gjatë periudhës 2020-2022. Siç informoi drejtori Boban Nikollovski, përmes kontrolleve të shtuara janë arritur rezultate rekord. Duke përmendur raste konkrete, Nikollovski theksoi se është penguar një përpjekje për import të paligjshëm të një veture të përdorur ‘Mercedes E 350’, për të cilën janë shmangur detyrime në vlerë prej 450 mijë denarësh. Mercedesi është sekuestruar dhe tashmë janë paraqitur kallëzime penale kundër 9 personave. Nikollovski po ashtu zbuloi se në pesë raste, gjatë kontrolleve të importit të mishit, është bërë një pagesë shtesë prej 11 milionë denarësh, pra mbi 178 mijë euro. Për autorët e këtyre veprave, siç theksoi Nikollovski, do të dorëzohet kallëzim penal në Prokurorinë Themelore, ndërsa për një autor do të dorëzohet edhe kallëzim për kundërvajtje.
“Këtë vit, në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit si dhe në Prokurorinë Themelore Publike, Njësia për Hetime pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime ka paraqitur 41 kallëzime penale kundër 32 persona juridikë dhe 118 persona fizikë për vepra penale të kryera me 140 automjete, duke shkaktuar një dëm të drejtpërdrejtë në buxhet nga shmangia e pagesës së detyrimeve në vlerë prej 14,7 milionë denarësh (239 mijë euro)”, tha Boban Nikollovski, Drejtor i Doganave.
