Oficeri i Shërbimit Sekret Amerikan i cili u qëllua të shtunën në mbrëmje në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, është liruar nga spitali. Kështu ka bërë me dije shefi i Komunikimit të USSS-së, Anthony Guglielmi.

Guglielmi nuk e përmendi emrin e oficerit apo spitalin ku u dërguan, por tha se jeleku që mbante veshur agjenti e shpëtoi nga një tragjedi të mundshme. Presidenti Donald Trump pas ngjarjes u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se kishte folur me oficerin e plagosur.

 “Ai ka humor shumë të mirë dhe ne i thamë se e duam dhe e respektojmë. Dhe ai është një djalë shumë krenar. Ai është shumë krenar për atë që bën”, shtoi ai.

Të shtënat me armë zjarri u regjistuar në darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Darka sapo kishte filluar kur një rrëmujë e madhe u dëgjua në hyrje të sallës.

Të pranishmit menjëherë u shtrinë në dysheme. Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump, të cilët ishin ulur në tryezën qendrore në një vend të ngritur përballë mysafirëve, u larguan nga rojet e sigurisë.

Agjentët e shërbimit sekret hynë në dhomë të armatosur rëndë. Forcat e sigurisë më pas urdhëruan mysafirët, gazetarë, ministra, politikanë dhe personalitete të ndryshme, të largoheshin nga salla e madhe që ndodhej në bodrumin e parë të hotelit. Autori i ngjarjes menjëherë u arrestua ndërsa vijonë hetimet.