Nga Ministria e Drejtësisë është kërkuar që në gjykatë të dorëzohen të gjitha ndryshimet që mund të ndikojnë në procedurën e ekstradimit, për çka janë marrë përgjigjet e nevojshme. Edhe ministri i drejtësisë Igor Fillkov para dy ditësh konfirmoi se po pritet formimi i qeverisë së re në Hungari, vendi ku u arratis Gruevski, në mënyrë që institucionet atje të njoftohen se Maqedonia është e interesuar që Gruevski të kthehet në vend.
Ndërkohë, qeveria në Hungari pritet të konstituohet më 9 maj, Ditën e Evropës.
Pas rënies së Viktor Orbanit, fituesi i zgjedhjeve në Hungari, Peter Magyar, paralajmëroi mundësinë e heqjes së azilit për Gruevskin, duke hapur kështu rrugën edhe për ekstradimin, njofton TS.
Ish-kryeministri u arratis në Hungari në nëntor të vitit 2018 dhe mori azil politik.
Maqedonia deri më tani ka paraqitur një kërkesë për ekstradim në vitin 2018, si dhe një plotësim të kërkesës në vitin 2019, por Budapesti e refuzoi me arsyetimin se Gruevskit i është dhënë azil dhe sipas ligjeve hungareze, një person që ka marrë azil nuk mund të ekstradohet në shtetin nga i cili ka ikur.
Në Gjykatën Penale në Shkup deri më tani ka tre aktgjykime për të arratisurin, ish-kryeministrin Nikolla Gruevski. Për rastin “Tanku”, që lidhet me blerjen e Mercedesit të blinduar, ekzekutimi i dënimit është parashkruar.
Një dënim aktiv prej një viti e gjysmë burg ka për rastin “Shuplakat në Qendër”, i cili parashkruhet në shtator të vitit të ardhshëm. Dënimi më i lartë prej nëntë vitesh burg për pastrim parash në rastin “Parcelat në Vodno” parashkruhet vetëm në vitin 2043.
Të dy këto vendime janë marrë në mungesë, prandaj ai, nëse ekstradohet, mund të kërkojë rigjykim. Rigjykim mund të kërkojë vetë ai nëse nuk ka qenë i informuar për vendimet, ose edhe shteti nga i cili kërkohet ekstradimi, si kusht që ai të marrë drejtësi nëse ekstradohet.
Sipas burimeve nga gjykata, problematike ishte fakti se në rastin “Parcelat në Vodno” ai personalisht i kishte dhënë autorizim avokatit për t’u ankuar në Gjykatën Supreme, gjë që do të ishte dëshmi se ka qenë i informuar për vendimin.
Megjithatë, pas shqyrtimit të lëndës nga ana e Telma-s, ky autorizim nuk u gjet në dosje.
Fillimisht në fletarrestin ndërkombëtar shkruhej se kërkohej për paraburgim 30-ditor për hetimet lidhur me sulmin në Kuvend më 27 prill 2017 si organizator, por tani kjo është ndryshuar dhe Gruevski kërkohet si i dënuar me burg.
